Albulena Haxhiu për rastin e Deharit: S'e bëj gjumin rehat, familja e tij duan ta dinë të vërtetën
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk i ka mbajtur dot emocionet teksa ka folur në “DPT te Fidani” të T7 për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari më 5 nëntor 2016 në burgun e Prizrenit.
Ajo pretendon se rasti Dehari po i shkakton aq shumë ankth sa nuk e zë gjumi.
“Diçka që edhe gjumin s’e bëj rehat, është rasti Dehari. Është rast shumë i rëndë”, u shpreh ajo, shkruan Express.
Sipas ministrit Haxhiu, Dehari ishte arrestuar vetëm për faktin se mendonte ndryshe nga të tjerët, në atë kohë ishte Demarkacioni dhe Zajednica.
"Rrasti Dehari është rasti më i rëndë në Kosovën e pasluftës, për shkak se në 2016, kur kishte përpjekje nga pushteti i asaj kohe, për ta shpallur VV-në edhe terroriste, ishin arrestuar aktivistë të VV-së për veprime që bëheshin krejt nga dikush tjetër. Në mesin e tyre ishte arrestuar edhe aktivisti Astrit Dehari, vetëm për faktin se mendonte ndryshe nga të tjerët, në atë kohë ishte Demarkacioni dhe Zajednica”, deklaroi Haxhiu.
Ajo shpjegoi gjithashtu vendimin për udhëzimin e ministrisë së saj për të shqyrtuar veprimet e zyrareve të përfshirë në këtë rast atë ditë.
“Astriti ka qenë në duart e shtetit, dhe në bazë të kësaj kam urdhëruar një inspektim në fillim të këtij viti, sepse nuk kam dashur të marr një vendim pa fakte. Kemi urdhëruar që të shihet se zyrtarët që kanë qenë atë ditë dhe ditëve në vijim, nëse të njëjtit i kishin kryer detyrat dhe përgjegjësitë si duhet. Raporti nga Inspektorati tregon se aty evidentohet shkelje të rënda të detyrave. Inspektimet janë kryer nga tre inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë”, thajo.
Haxhiu pretendon se sraporti i Institutit zviceran dhe raporti i dy ekspertëve të pavarur dëshmojnë se Astrit Dehari është vrarë.
“Ne gjithnjë kemi thënë që Astrit Dehari është vrarë. Konsideroj që raportet, sidomos raporti i Institut zviceran dhe ai i dy ekspertëve, kanë vlerësuar që nuk është vetëvrasje. Madje, raporti i Institutit zviceran ka konstatuar edhe përfshirjen e personit të tretë”, ka thënë Haxhiu.