Alarmante: Mosha e fillimit të konsumimit të narkotikëve ka rënë në 16 vjeç
Mosha e nisjes së përdorimit të drogës në Kosovë ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, duke alarmuar organizatat që merren me varësinë.
Drejtori i Labyrinth, Safet Blakaj, thotë se sot të rinjtë e nisin përdorimin mesatarisht në moshën 16-vjeçare.
“Nëse para 10 viteve mosha e fillimit ka qenë 21.7 vjeç, tani ka rënë në 16 vjeç,” deklaroi ai për Ekonomia Online.
Sipas tij, në Kosovë janë mbi 40 mijë përdorues të drogave.
Përveç marihuanës, kokaina ka shënuar rritje të shpejtë në pesë vitet e fundit.
“Para pesë vitesh, përdoruesit e kokainës që paraqiteshin te ne ishin 35-45 vjeç. Në vitin 2025 kjo moshë ra në 25-35 vjeç,” tha Blakaj.
Ai theksoi se dy vitet e fundit janë shfaqur raste edhe nën moshën 18-vjeçare.
Blakaj kritikoi reagimin e shkollave ndaj rasteve të kapura me drogë.
“Nuk mjafton të thirret policia. Duhet trajtim dhe ndërhyrje e hershme,” u shpreh ai.
Sipas tij, nevojitet zbatim i plotë i strategjisë kombëtare për parandalimin e drogave.