Aktivisti i larguar nga VV-ja: E kam përjetu rëndë, jam rritur me Lëvizjen - NACIONALE

Aktivisti i larguar nga VV-ja: E kam përjetu rëndë, jam rritur me Lëvizjen

1 vit më parë

nga NACIONALE

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkëlzen Bislimi, i larguar nga ky subjekt për shkak se nuk iu lejua kandidimi për kryetar dege në Lipjan, thotë se ka qenë shumë e vështirë të largohej nga VV-ja.

“Mos e provofsh”, tha Bislimi, i pyetur nga T7 se a ishte e vështirë të largohej nga Vetëvendosja.

Mirëpo, Bislimi thotë se nuk do të shkojë në asnjë parti tjetër pasi “nuk i pëlqejnë”.

“Jam rritur me Lëvizjen, kam bërë aktivitet aty dhe është e vështirë të shkoj diku tjetër. Thjesht, kam vendosur që të pushoj edhe të mendoj”, tha ai.

Ai tregon edhe se si e ka përjetuar largimin nga kjo parti.

“E kam përjetuar tepër rëndë, është shumë e rëndë. Je me një subjekt politik, me anëtarë me aktivistë, je bërë si familje, ke kaluar kohë dhe në fushatë presionin më të madh ti s’ke qenë në familje, por me ta. Lidhja shpirtërore bëhet shumë e madhe, gëzimi për fitore pastaj nuk je me familje, por me anëtarë të subjektit dhe tash i bie sikur të ndahem nga familja, por fati ishte i tillë”, tha ai.

Bislimi thotë se edhe babai i tij ka qenë në Lëvizjen Vetëvendosje.

Edhe babi ka qenë aktivist i Vetëvendosjes. Por, ai më ka thënë se duhet të largohet, sepse e ka parë që Lëvizja nuk është ajo që ne kemi besuar dhe kemi shpresuar që është. Nëse thua dua zgjedhje, atëherë lëri njerëzit të garojnë, nëse do veç nga një kandidat për degë, atëherë emëroi kandidatët”, u shpreh Bislimi.

E për këtë, ai nuk e lë fajtor Kurtin, pasi thotë se mbase ai nuk po e di çfarë po ndodhë për shkak të angazhimeve në qeveri.

“Ose ndoshta po e di, akoma s’e kam kuptuar”, tha Bislimi.

Lajme të ngjashme