Aksidentohet autobusi me afganë të dëbuar nga Irani, së paku 73 të vdekur - NACIONALE

Aksidentohet autobusi me afganë të dëbuar nga Irani, së paku 73 të vdekur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një aksident trafiku në pjesën perëndimore të Afganistanit ka lënë të vdekur 73 njerëz, përfshirë 17 fëmijë, shumica prej të cilëve ndodheshin në një autobus me të cilin po udhëtonin afganë të dëbuar nga Irani, ka konfirmuar një zyrtar taliban.

Autubusi, i cili ishte rrugës për në Kabul, u kaplua nga zjarri të martën natën, pasi u përplas me një kamion dhe një motoçikletë në provincën Herat, tha Ahmadullah Mottaqi, drejtor i informacionit dhe kulturës në Herat, raporton televivioni BBC.

Të gjithë personat që ndodheshin në autobus e humbën jetën. Sipas tij, të vdekur mbetën edhe dy njerëz në dy automjetet e tjera.

Muajve të fundit, Irani e ka shtuar dëbimin e imigrantëve afganë pa dokumente, të cilët kishin ikur nga konflikti në vendin e tyre.

“Të gjithë pasagjerët ishin imigrantë që kishin hipur në mjet në Islam Qala” – tha zëdhënësi rajonal, Mohammad Yousuf Saeedi.

Policia në Herat tha se aksidenti ndodhi për shkak të “shpejtësisë dhe neglizhencës së tepruar” nga vozitësi i autobusit.

Aksidentet e trafikut janë të zakonshme në Afganistan, ku rrugët janë dëmtuar nga konflikti i gjatë dhe rregullat e komunikacionit nuk zbatohen në masën e duhur.

Nga vitet e shtatëdhjeta, miliona afganë janë vendosur në Iran dhe Pakistan. Valët kryesore kanë ndodhur gjatë pushtimit sovjetik të Afganistanit më 1979 dhe pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021./Nacionale

Lajme të ngjashme