Aksident mes cisternës e kamionit të mbushur me njerëz e gjedhe, 48 të vdekur në Nigeri - NACIONALE

Aksident mes cisternës e kamionit të mbushur me njerëz e gjedhe, 48 të vdekur në Nigeri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku 48 persona kanë vdekur në shtetin qendror Nigerian, Niger, pasi një cisternë me naftë u përplas me një kamion që po barte njerëz dhe gjedhe, ka thënë agjencia për menaxhimin e fatkeqësive.

Agjencia Shtetërore për Menaxhimin e Emergjencave tha se përplasja ndodhi rreth orës 00:30 sipas kohës lokale të dielën dhe shkaktoi një shpërthim që i përfshiu të dyja automjetet, raporton televizioni BBC.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj agjencie, Abdullahi Baba-arah, tha se ekipet e reagimit janë dislokuar në vendin e ngjarjes për ta menaxhuar situatën. Nga shpërthimi i zjarrit u prekën edhe disa automjete të tjera.

Në pamje nga vendi i ngjarjes pak pas aksidentit shihen dy automjetet e djegura tërësisht dhe disa gjedhe të ngordhura.

Duke folur për agjencinë “Reuters” pas rastit, një punëtor i ekipeve të shpëtimit tha se ata po punonin për nxjerrjen e trupave të njerëzve dhe gjedheve që ende ndodheshin brenda kamionit.

Shpërthimet dhe aksidentet me cisterna janë të zakonshme të Nigeri, pjesërisht për shkak të gjendjes së dobët të rrugëve.

Lajme të ngjashme