Aksident me fatalitet në rrugën Lipjan-Shtime
Një person ka vdekur sot pas një aksidenti që ka ndodhur në rrugën Lipjan-Shtime.
Kështu ka bërë të ditur për media zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, i cili shtoi se edhe një tjetër person që ka marr lëndime është dërguar në QKUK.
Borovci gjithashtu ka njoftuar se në aksident janë përfshirë dy vetura dhe një kamion.
“Rreth orës 12:45, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën Lipjan-Shtime, respektivisht në afërsi të fshatit Grackë e vogël. Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një kamion dhe dy vetura.”
“Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën ndërkaq për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti një person është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.Për shkak të aksidentit janë krijuar vështirësi qarkullimi në segmentin rrugor Lipjan-Shtime-Topliqan – Bujan. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit dhe ri drejtimin e trafikut, si dhe ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij aksidenti.” – ka thënë ai.