Aksident i rëndë në Pejë, motoçiklisti dërgohet për operim në QKUK
Një person ka pësuar politraumë të rëndë si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur pasditen e së shtunës në fshatin Ramun të Pejës.
I lënduari është transferuar nga Spitali Rajonal i Pejës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.
Sipas Klan Kosovës, pacienti ndodhet në gjendje të paqëndrueshme. Pas ekzaminimeve të nevojshme në QKUK, ai është dërguar në sallën operative të Emergjencës.
Ndërhyrja kirurgjike po kryhet nga ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit. Pas operacionit, pacienti pritet të transferohet në Mjekimin Intensiv Qendror.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë një furgon dhe një motoçikletë.
“Sot rreth orës 16:25, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Ramun-Pejë, në këtë aksident ishin të involvuara një kombi dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit motoçiklisti ka pësuar lëndime trupore. I njëjti është dërguar në spitalin rajonal në Pejë për tretman mjekësor”, deklaroi Rugova.