Aksident i rëndë në dalje të Prizrenit, dy persona përfundojnë në spital
Një aksident i rëndë është regjistruar në dalje të Prizrenit, përgjatë rrugës që lidh qytetin me Kukësin.
Në aksident janë përfshirë një veturë me targa të huaja dhe një kamionçinë, raportoi Top Channel. Pas përplasjes, vetura ka humbur kontrollin, ka dalë jashtë rrugës dhe është përplasur me murin rrethues të një servisi për automjete.
Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar dy persona që ndodheshin brenda veturës. Ekipet emergjente kanë intervenuar në vendngjarje, ndërsa të lënduarit janë transportuar me ambulancë drejt Urgjencës së Prizrenit, ku kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e sakta që çuan deri te aksidenti.