Ahmeti tenton të zvogëlojë zotimin e Kurtit, Osmanit e Konjufcës për Asociaconin: Procedurë e rregullt
Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka folur rreth letrës që tre krerët insitucional, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryekuvendari Glauk Konjufca ia dërguan Dora Bakojanis, raportuese për anëtarësimin e Kosovës në Këshil të Evropës.
Ahmeti ka tentuar të zvogëlojë rëndësinë e zotimit të tre liderëve për themelimin e Asociacionit.
Sipas Ahmetit, kjo letër është procedurë e rregullt.
“Letrën që e kanë dërguar të tre krerët e shtetit është procedurë e rregullt përgjatë fazës së anëtarësimit, krerët e shtetit kanë marrë përsipër zotime që janë përcaktuar si çështje që duhet të adresohen pas anëtarësimit, të cilat janë përcaktuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Askund në ato pika nuk thuhet ekskluzivisht çështja e Asociacionit, kur të bëhet publik raporti do të bëhet e qartë. Pika 14.2.2 e asaj pjese thotë se duhet të ketë zhvillim të prekshëm në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, që përfshinë edhe Asociacionit. Është e qartë për të gjithë se kjo çështje ekziston që nga viti 2013 dhe se nuk ka asnjë zotim shtesë në këtë drejtim. Kjo përcakton se nuk është parakusht”, përfundon Ahmeti.