Ahmeti: Gratë qeverisin më mirë se sa burrat
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka folur per pozitën e grave në shoqëri dhe përfaqësimin e tyre në politikë.
Gjatë një takimi me Forumin e Gruas të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ahmeti ka thënë se gratë qeverisin më mirë se burrat.
“Kam obligim moral për të respektuar gruan shqiptare, sepse më kanë strehuar, me pushkë nën jastëk kanë fjetur për të më mbrojtur mua më është krijuar momenti, pse mos u dalë zot këtyre nënave, motrave e grave për barazi. Kur kam ardhur nga ushtria dhe u futëm në politikë, asnjë grua shqiptare nuk ka pasur në asnjë institucion, as në Parlament, as në Qeveri, nga zeroja ia kemi nisur. Thua se dalim nga regjimi i mesjetës. Sot për të arriturat gëzohem, por nuk jam krenar. Nga 15 deputetë, gjashtë janë gra, 40 për qind, por nuk dua të matet përfaqësimi i nënave, grave e motrave me përqindje. Le të jetë garë e hapur. Pse çka u mungon grave, inteligjenca, jo. U them drejt, se aty ku qeverisin gratë më mirë më ka dalë se te burrat”, ka thënë Ali Ahmeti.
Ndryshe, partia e Ahmetit nuk ka emëruar asnjë grua në postet qeveritare gjatë këtij mandati, gjë për të cilën ka marrë shumë kritika.