AGK: Precedent i rrezikshëm thirrja e Presidentes Osmani për hetime ndaj mediave
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj presidentes Vjosa Osmani, e cila sot kërkua hetim ndaj mediave.
Derisa e para e shtetit ka reaguar ndaj një shkrimi të Nacionales, i cili flet për axhën e bashkëshortit të saj, Osmani ka kërkuar nga organet që të hetohet gazeta Nacionale dhe drejtuesit të saj, Berat Buzhala.
Sipas AGK-së këto thirrje janë të rrezikshme.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK, e konsideron si një precedent të rrezikshëm e të papranueshëm thirrjen eksplicite të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për hetime ndaj medieve, posaçërisht gazetës Nacionale dhe drejtuesit të saj, Berat Buzhala. Një një postim publik sot, Presidentja në së paku dy raste u bën thirrje, si organeve të sigurisë edhe atyre të drejtësisë, që të hetojnë median në fjalë, pas publikimit të një lajmi rreth vrasjes së një personi mbrëmë në Ferizaj. Për më tepër, akuza e përsëritur se mediat punojnë për Serbinë, është e papranueshme, dhe më e rrezikshme kur vjen nga kreu i shtetit”, është thënë në reagimin e AGK-së.
Nëse ka pakënaqësi për mediat, AGK-ja e ka ftuar presidenten të ankohet në KMShK.
“AGK-ja, e fton Presidenten Osmani që për pakënaqësitë eventuale me raportimin t’i drejtohet me ankesë Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës - Press Council of Kosovo. Është punë e medieve që, duke respektuar Kodin e Etikës, sidomos për ngjarje tragjike, të bëjnë punën e tyre duke ofruar fakte e dëshmi për rrethanat e ngjarjes”, ka vlerësuar AGK-ja.