AGK me reagim pas protestës globale për vrasjen e gazetarëve në Gaza - NACIONALE

AGK me reagim pas protestës globale për vrasjen e gazetarëve në Gaza

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas aksionit të paprecedent global, ku mbi 200 media nga mbi 50 shtete të botës protestuan këtë të hënë kundër vrasjes së gazetarëve në Gaza.

AGK ka shprehur solidaritet me kolegët gazetarë palestinezë, duke e cilësuar këtë si një nga periudhat më të rënda për gazetarinë moderne. “Shifrat janë alarmante dhe të papranueshme. Që nga 7 tetori 2023, mbi 210 gazetarë janë vrarë në Gaza, shumica prej tyre duke kryer detyrën e tyre për të informuar botën,” thuhet në reagim.

Asociacioni ka përmendur se ndalimi i mediave të huaja për të hyrë në Gaza e bën edhe më të rëndë situatën, duke lënë gazetarët lokalë në vijën e parë të rrezikut. “Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe së drejtës për informim. Heshtja është e rrezikshme dhe e papranueshme,” theksoi AGK.

Në fund, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i është bashkuar thirrjeve të organizatave ndërkombëtare si Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), duke kërkuar hetim të pavarur dhe urgjent për këto krime dhe mbrojtje të garantuar për gazetarët që raportojnë nga zonat e konfliktit.

Lajme të ngjashme