Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave publikon numrin për raste të dyshimta: Zjarrvëniet janë vepër penale
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka apeluar për kujdes të shtuar nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë stinës së verës, e cila karakterizohet me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarre.
Në një njoftim të publikuar nga Ministria e Brendshme, thuhet se zjarret në pyje, fusha dhe hapësira të hapura shkaktojnë dëme të mëdha materiale, ndotin ajrin, dëmtojnë natyrën dhe paraqesin rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
MPB thekson gjithashtu se zjarrvëniet janë vepra penale.
“Duhet theksuar se zjarrvëniet e qëllimta, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepra penale dhe sanksionohen sipas ligjit. Çdo person që shkakton zjarr, duke dëmtuar pronën publike apo private, ose duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe mjedisin, do të përballet me ndjekje penale dhe masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.”
Gjithashtu, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka ofruar numrat kontaktues ku qytetarët mund të raportojnë raste të dyshimta.