Afrohet afati për targat, Bislimi: Modalitete janë 20 sosh, secili variant është i mundshëm
Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se i kanë dërguar emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak rreth 20 modalitete lidhur me targat.
Bislimi tha se në momentin që ka dakordim do ta bëjnë publike.
Por, deklarata e tij për modalitetet nuk ishte krejtësisht e qartë sa i përket mënyrës se si është transmetuar nga portali Tëvë1.
“Ne jemi ende në kontakt me Lajçakun, sot i kemi dërguar edhe me shkrim atë mënyrën se si ne e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e deri në muajt në vijim. Dhe atë moment që ne kemi dakordim e bëjmë publike. Modalitetet janë 20 sosh, në 20 mund të jetë secili, por për të cilin ne kemi diskutuar, edhe të cilin jemi duke e suportuar është diçka tjetër”, tha ai në emisionin “Ditari”.
Bislimi theksoi se Bashkimi Evropian është i interesuar që të mos ketë tensione në terren, gjë e cila natyrisht vetëkuptohet.
Zv. Kryeministri Bislimi ishte së fundi në Bruksel dhe negocioi me palën serbe pikërisht për këtë çështje.
Sipas masave të marra nga Qeveria e Kosovës, të hënën fillon gjobitja për targat ilegale.
Bislimi në këtë intervistë ka folur edhe në lidhje me planin franko-gjerman, duke u shprehur se e kanë dërguar një shkresë me pesë faqe.