AFP-ja duket se e konfirmon pretendimin e Putinit që forcat ruse po avancojnë në Ukrainë
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pretenduar se ushtria e vendit të tij është duke avancuar në Ukrainë. Agjencia franceze e lajmeve, AFP, ka bërë një analizë për këtë çështje.
AFP-ja, duke u mbështetur në të dhënat e Institutit për Studimin e Luftës, organizatë me seli në Shtetet e Bashkuara, duket se e konfirmon pretendimin e Putinit, shkruan gazeta “The Guardian”.
Agjencia AFP tha se avancimi i ushtrisë ruse në Ukrainë u përshpejtua për muajin e katërt rresht në korrik, duke i shënuar fitoret më të mëdha territoriale që nga nëntori.
Për një muaj, ushtria ruse mori nën kontroll 713 kilometra katrorë të territorit ukrainas, ndërsa forcat ukrainase rikthyen nën kontroll vetëm 79 kilometra katrorë, thuhet në analizë.
Kjo ka rezultuar në avancim neto prej 634 kilometrash katrorë në krahasim me 588 kilometra katrorë në qershor, 507 kilometra katrorë në maj, 379 kilometra katrorë në prill dhe 240 kilometra katrorë në mars.
Në këto shifra përfshihen territoret që janë plotësisht ose pjesërisht nën kontrollin e Rusisë dhe ato që pretendohen nga Moska.