Abdixhiku zhvillon takime me diplomatët e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues diplomatikë të vendeve aleate gjatë ditëve të fundit. Ai njoftoi se sot ka mirëpritur të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati, ndërsa më herët ka takuar ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves, ambasadorin francez Olivier Guérot dhe ka zhvilluar një drekë pune me ambasadorin gjerman Rainer Rudolph.
Sipas Abdixhikut, bisedat janë fokusuar në sfidat aktuale me të cilat përballet Kosova, zhvillimet politike dhe qëndrimet e LDK-së në raport me proceset në vend. Një nga temat kryesore ishte procesi i Zgjedhjeve Nacionale të 28 dhjetorit dhe vizioni politik i LDK-së pas tyre.
Kreu i LDK-së ka theksuar përkushtimin e partisë për stabilitet institucional, zhvillim ekonomik dhe orientim të qartë euroatlantik. Ai ka vënë në pah edhe përbërjen e listës së LDK-së, e cila sipas tij përfaqëson profesionistë të dëshmuar dhe njerëz me përkushtim të lartë ndaj interesit të vendit.
Abdixhiku ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Francës, duke theksuar se partneriteti me këto vende mbetet themelor për të ardhmen demokratike të Kosovës dhe rrugën e saj euroatlantike.
Sipas tij, LDK mbetet një garancë e rëndësishme për këtë orientim strategjik.