“Propagandë e zakonshme dhe bajate”: Abdixhiku u përgjigjet bashkëpartiakëve që e kritikuan për rezultatin?
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se strukturat e partisë së tij janë të vetëdijshme për rolin dhe angazhimin e tyre politik, duke theksuar se ato nuk bien pre e asaj që ai e cilëson si propagandë kundër LDK-së.
Përmes një postimi në rrjetet sociale pas një takimi me strukturat e partisë në Shtime, Abdixhiku tha se anëtarësia dhe strukturat e LDK-së janë “të mençura, të pjekura dhe të qarta”, duke shtuar se ato dinë të dallojnë oportunizmin politik dhe mbeten të përkushtuara ndaj vlerave që përfaqësojnë.
“Strukturat e LDK-së janë të mençura, të pjekura dhe, mbi të gjitha, të qarta. Nuk bien pre e propagandës anti LDK tashmë të zakonshme e bajate; e as nuk ngatërrohen në identifikimin e oportunistëve politik, po aq të zakonshëm e të parashikueshëm. E dinë mirë çfarë përfaqësojnë dhe për çfarë angazhohen.
Mbi të gjitha, nuk lejojnë që mundi e puna e tyre e përditshme të shpërdorohen e rezultatet t’u injorohen. Janë falënderues. E kur ke njerëz të tillë pas vetes, është e lehtë t’i përfaqësosh me dinjitet e respekt”, ka shkruar ai.
Ky reagim i tij vjen pas kritikave që mori nga bashkëpartiakë të tij për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.