Abdixhiku: Rruga e Rugovës mbetet bindje për secilin prej nesh në LDK - NACIONALE

Abdixhiku: Rruga e Rugovës mbetet bindje për secilin prej nesh në LDK

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar sot familjen e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në ditëlindjen e ish-presidentit, Abdixhiku ka thënë se rruga e Ibrahim Rugovës do të mbetet bindje për secilin anëtarë të LDK-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, Abdixhiku ka shkruar për rrugëtimin që ka ndjekur ish-lideri i LDK-së.

Presidenti ka vetëm ditëlindje! 78 vite më parë, më 2 dhjetor të vitit 1944, lindi Ibrahim Rugova, ati themeltar i shtetit të Kosovës e prijësi historik i lëvizjes më të madhe shqiptare për liri, pavarësi e demokraci. Rugova rrjedh nga një familje e përndjekur shqiptare. Shërbimet jugosllave i kishin vrarë dhe zhdukur babën dhe gjyshin e tij. Prandaj dhe ditëlindjet e tij të para ishin të vështira. Pasi kishte përfunduar shkollimin fillor në Istog, dhe atë të mesëm në Pejë, Ibrahim Rugova kishte vazhduar studimet në Prishtinë për të doktoruar aty në vitin 1984 në tezën me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983”. Para doktorimit, Rugova kishte marrë titullin e Këshilltarit Shkencor në Institutin Albanologjik; ndërkaq, në fund të viteve të 70-ta, nën mbikëqyrjen e Roland Barthes ndoqi studimet mbi letërsinë në Paris”, ka shkruar ai.

Ai ka vlerësuar se bindjet e tij do t’i kultivohen në çdo hap të veprimit politik.

Kjo rrugë sot mbetet bindje për secilin prej nesh në LDK. Vlerat e bindjet e shtruara nga ai, do t’i kultivojmë në çdo hap të veprimit tonë politik. Në rrethanat e sotshme, sikurse në çdo rrethanë jetike deri tani, ato mbesin thjeshtë të pazëvendësueshme. Kosova shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me ShBA-të - mbetet qëllimi ynë”, ka shkruar Abdixhiku.

Lajme të ngjashme