Abdixhiku: Konventa në Gjilan dëshmon për një realitet të ri të skenës politike në vend
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është shprehur i lumtur me pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve në Konventa Programore e degës në Gjilan, e cila është mbajtur sot.
Ai ka thënë se në këtë mënyrë ka nisur takimet me struktura e qytetarë nëpër gjithë Kosovën.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se pjesëmarrja e qytetarëve në kaq masë në këtë konventë është tregues mbi mbështetjen e rritur dhe në rritje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, kjo pjesëmarrje dëshmon për një realitet të ri të skenës politike në vend.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Sot, nga Gjilani, nisëm takimet me struktura e qytetarë tanë nëpër gjithë Kosovën. Nisëm nga Konventa Programore e degës sonë në Gjilan, për të vazhduar në çdo lagje, fshat e qytet të Kosovës.
Pjesëmarrja e qytetarëve në kaq masë, është tashmë tregues i qartë mbi mbështetjen e rritur dhe në rritje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo pjesëmarrje, dhe të tjerat që do t’i kemi në javët e muajt në vijim, dëshmojnë për një realitet të ri të skenës politike në vend. Qytetarët tanë, njerëzit e Kosovës, po njohin qartë potencialet tona, po njohin qartë energjinë e re dhe po e njohin qartë ndryshimin e shumëkërkuar që në LDK tashmë ka zënë vend.
Njerëz të rinj, profesionistë të rinj, burra e gra më të mirë të vendit po i bashkohen lidhjes sonë politike. Të tjerë në vijim, më të mirët e vendit, do të vazhdojnë të na bashkëngjiten. Të tillët, dhe qytetarët e tjerë që u vihen atyre pas, janë duke e kuptuar se Lidhja Demokratike e Kosovës është opsioni i vetëm politik në vend; dhe kjo mbështetje, ky ndryshim, kjo energji e përbashkët e jona nuk do të ndërpritet për asnjë moment. Hapja jonë, përmirësimi ynë, respektimi i vlerave të mira e të drejta brenda partisë, vënia në pah e resurseve më të mira njerëzore që i kemi si parti, do të vazhdojë me këmbëngulësi.