Abdixhiku: Ibrahim Rugova ishte një epokë, at themeltar i shtetit e prijësi historik i popullit të Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në 18 vjetorin e vdekjes, ka thënë se ish-presidentin Ibrahim Rugova ishte një epokë dhe ati themeltar i shtetit të Kosovës. Ai ka bërë homazhe te varri dhe ka vizituar familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Abdixhiku ka thënë se Rugova la pas vete një trashigimi të pasur intelektuale dhe një trashigimi politike.
“Në të vërtetë, Rugova ishte një epokë dhe pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një trashëgimi politike, me rezultate të papërsëritshme e monumentale.” – ka shkruar ai.
“Ati themeltar i shtetit të Kosovës, prijësi historik i popullit të Kosovës, themeluesi i Lidhjes Demokratike, formacionit të parë pavarësist; bartësi i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, iku në amshim sot 18 vite më parë.” – ka shkruar ai.
Më tej, ai bashkë me familjen e Rugovës kanë marrë pjesë në promovimin e librit ‘Pushteti dhe intelektualët’ të botuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova”.
“Ky libër, ka këtë funksion, dhe sikur vepra në tërësi e Presidentit Ibrahim Rugova, na kujton profilin e lartë të politikanit intelektual dhe intelektualit politikan, dhe na thërret të mendojmë sa të rëndësishme janë këto dy kategori kur bëhen një zë.” – ka shkruar Abdixhiku.
Shkrimi i plotë i tij:
Ibrahim Rugova, “ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë” do të thoshte një Viktor Hygo i yni, siç kishte thënë ky shkrimtar për Volterin në njëqindvjetorin e vdekjes së këtij filozofit dhe mendimtari të madh.
Në të vërtetë, Rugova ishte një epokë dhe pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një trashëgimi politike, me rezultate të papërsëritshme e monumentale.
Ati themeltar i shtetit të Kosovës, prijësi historik i popullit të Kosovës, themeluesi i Lidhjes Demokratike, formacionit të parë pavarësist; bartësi i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, iku në amshim sot 18 vite më parë.
Pas vete la një trashëgimi epokale, që sot na shërben si udhërrëfim kombëtar.
Në këtë ditë, së bashku me zonjën Fana Rugova dhe anëtarë të familjes, në ambientet e Shkollës Politike, promovuam librin ‘Pushteti dhe intelektualët’ të botuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova”.
Fondacion ynë tashmë ka bërë një traditë në fushën e botimeve, duke u kujdesur, që ta ruajë, ta kultivojë dhe ta përcjellë tek breznitë e reja, mendimin politik, letrar e kulturor të Ibrahim Rugovës, duke e vlerësuar si një trashëgimi tejet e vlefshme, bazike, për të njohur Kosovën e djeshme dhe për t’u shërbyer prej saj për të ndërtuar Kosovën e nesërme.
Ky libër, ka këtë funksion, dhe sikur vepra në tërësi e Presidentit Ibrahim Rugova, na kujton profilin e lartë të politikanit intelektual dhe intelektualit politikan, dhe na thërret të mendojmë sa të rëndësishme janë këto dy kategori kur bëhen një zë.
Para promovimit, me bashkëpunëtorë, vendosëm lule tek varri i Presidentit. Nga aty, vizituam familjen Rugova, për të ndarë jo vetem dhimbjen për ikjen e Presidentit, por dhe gjithë krenarinë për trashëgiminë e tij!