Abdixhiku e Osmani në Gjilan, flasin me qytetarët për “halle, zhgënjime e shpresë”
Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani kanë zhvilluar një takim me qytetarët në Gjilan, ku theksi u vu te komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe diskutimi për sfidat me të cilat përballet vendi.
Abdixhiku tha se takimi në Gjilan u zhvillua “pa distancë dhe pa censurë”, duke theksuar nevojën për më shumë dialog të sinqertë në shoqëri dhe më pak tensione e përçarje.
“Sonte folëm ndryshe. Ballë për ballë. U ulëm bashkë me qytetarët e Gjilanit për të folur për hallet që rëndojnë përditshmërinë, për zhgënjimet që janë grumbulluar, por edhe për shpresën që ende nuk është shuar”, ka deklaruar ai.
Sipas kreut të LDK-së, Kosova ka nevojë për më shumë afërsi mes njerëzve dhe më pak “dhunë e heroizma të dhunës”, ndërsa shtoi se rrugëtimi politik që po ndërtohet buron pikërisht nga takimet me qytetarët dhe nga zëri i tyre.
Ai falënderoi qytetarët e Gjilanit për mikpritjen, sinqeritetin dhe besimin, duke theksuar se “rrugëtimin po e bëjmë bashkë”.