Abdixhiku bën homazhe në Prekaz: Nderojmë të shkuarën, bëjmë të ardhmen
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë sot homazhe te varreza e familjes Jashari në Prekaz.
Pas homazheve, ai është pritur në kullë nga Rifat Jashari, vëllai i komandantit të legjendar Adem Jashari.
Në profilin e tij në “Facebook”, i pari i LDK-së ka shkruar se në këtë mënyrë nderon sakrificën sublime të Adem Jasharit dhe familjes Jashari.
“Nderojmë të shkuarën, bëjmë të ardhmen! Sot, tek Kulla e Jasharajve, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, nderuam sakrificën sublime të Adem Jasharit, familjes Jashari e nëpërmjet tyre dhe gjithë të rënëve në altarin e lirisë. Të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes sonë kolektive për liri. Do të thotë të kujtosh e shënosh gjithë sakrificën, qëndresën e vet kushtrimin e popullit të tonë të reflektuar në një familje të vetme, atë që sot na qëndron si tempull peligrinazhi për brezat e rinj, e që një çerek shekulli më parë na qëndronte si thirrje e rrugës sonë finale drejt lirisë”, ka shkruar Abdixhiku.