Abazi i VV-së paralajmëron dorëheqje nëse formohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka paralajmëruar dorëheqje nëse formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.
Abazi ka thënë se kjo gjë nuk do të lejohet, pasi që sipas tij për këtë arsyeje janë në qeveri dhe në parlament.
“Nuk do të lejohet në asnjë mënyrë, sepse kjo është arsyeja përse ne jemi në qeveri dhe në parlament, si rezultat i refuzimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Nëse do vihet deri tek ndonjë ndryshim kushtetues që do të lejonte pushtet të tretë, ndërmjet atij lokal dhe qendror, normalisht që as nuk do ta pranoja dhe do të jap dorëheqje menjëherë”, ka thënë ai për Euronews Albania.
Tutje ai ka thënë se nëse kjo ndodh, do të ishte një shtrirje horizontale e një Republika Srpska në gjithë sistemin kushtetues të Kosovës.
“Nuk mund të pranohet në asnjë formë që përbrenda shtresëzimit qeverisës të funksionimit të shtetësisë së Kosovës, të vendoset një forcë ekzekutive, Asociacion me të drejta ekzekutive, e cila do të ishte një etnike e përkufizuar sipas Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo është një shtrirje horizontale e një Republika Srpska në gjithë sistemin kushtetues të Kosovës”, theksoi Abazi.
