AAK: Politizimi i sektorit të ujit po na kushton miliarda litra ujë të humbur - NACIONALE

AAK: Politizimi i sektorit të ujit po na kushton miliarda litra ujë të humbur

1 vit më parë

nga NACIONALE

AAK-ja e ka kritikuar Qeverinë Kurti për politizim të sektorit të ujerave.

Departamenti për Ujë dhe Politika Mjedisore i kësaj partia ka vlerësuar se politizimi i sektorit të ujit po i kushton Kosovës miliarda litra ujë të humbur.

Përmes një komunikate për media, ky departament ka treguar për politizimin e këtij sektori.

“Kur në vitin 2021 Kryeministri Kurti premtoi një reformë të thellë në sektorin e ujit, publiku priste një ndryshim rrënjësor. Ai u përfshi drejtpërdrejt në procesin e përzgjedhjes së bordeve të kompanive të ujësjellësit, madje duke ftuar kandidatë potencialë në zyrën e tij, edhe para se të merrej vendimi zyrtar për emërimin e tyre. Pa dyshim, ky ishte një veprim që nuk ishte ndërmarrë më parë nga asnjë kryeministër. Por sot, katër vite më vonë, në përfundim të mandatit të kësaj qeverie, rezultatet janë shqetësuese dhe shumë larg pritshmërive”, ka vlerësuar AAK-ja, duke dhënë detaje tjera.

“Të dhënat zyrtare të raportuara nga vetë kompanitë në Ministrinë e Ekonomisë tregojnë se situata është përkeqësuar ndjeshëm. Me përjashtim të KRU Bifurkacioni dhe KRU Gjakova, të gjitha kompanitë e ujësjellësit në Kosovë kanë rritur humbjet e ujit, duke arritur një mesatare mbi 60%. Vetëm gjatë vitit 2024 janëhumbur rreth 100 miliardë litra ujë – një sasi e frikshme për një vend që përballet me sfida të mëdha në menaxhimin e burimeve ujore. Zvogëlimi i humbjeve të ujit ka qenë gjithmonë një sfidë për këtë sektor, por asnjëherë më parë ato nuk kanë qenë kaq të larta. Madje, para vitit 2021, disa kompani kishin filluar të shënonin përmirësime. Kjo e bën edhe më të pashpjegueshme përkeqësimin e situatës, që sipas eksperteve të fushës, lidhet me qeverisjen joefikase dhe politizimin e skajshëm të bordeve dhe menaxhmenteve”, është thënë në reagimin e AAK-së.

Lajme të ngjashme