AAK-ja kërkon debat parlamentar për sigurimet shëndetësore dhe gjendjen në shëndetësi
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, në një konferencë për medie të mbajtur të hënën, ka bërë të ditur se AAK-ja do të kërkojë debat parlamentar për sigurimet shëndetësore.
“E kemi thirrur këtë konferencë ta informojmë opinionin e gjerë lidhur me situatën e rëndë të shëndetësisë dhe njëkohësisht mungesën e sigurimeve shëndetësore në vend. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreson që ditën e enjte do të bëhet një debat parlamentar lidhur me gjendjen në shëndetësisë, problemet e përditshme të cilat po hasim në shëndetësinë dhe në mungesë të sigurive shëndetësore.” – ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se shpresojnë që të ketë një rezolut për sigurimet shëndetësore dhe e cila do të përkrahet nga pushtetit e opozita.
“Arsyeja pse e bëmë këtë është që tre vjetët e fundit për çdo vit e kemi në agjendë ligjin për sigurime shëndetësore dhe ende nuk e kemi në duart tona, dhe si duket ende nuk do të jetë në këtë agjendën pranverore që jemi. E kemi ftuar këtë debat parlamentar ku feedback-un e kësaj do ta përmbyllim me një rezolutë që shpresojmë se do të mbështetet nga pozita dhe opozita.” – ka thënë ai.