A iu tut Peci buallicës: Ministri nuk rrezikon, e “ledhaton” nga distanca kafshën
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se javën e ardhshme do të hapet thirrja për aplikim për Pagesa Direkte, duke theksuar se për ata që mbajnë buallica do të ketë dyfishim të mbështetjes financiare.
Si zakonisht, shkrimeve të tij në “Facebook” u bashkëngjet edhe fotografi nga vizitat e tij nëpër ferma.
Kësaj radhe njoftoi se ka shkuar në Novolan të Vushtrrisë. Atje vizitoi një fermë të buallicave dhe publikoi disa fotografi.
Në njërën nga fotografitë, Peci shihet në një pozicion goxha të çuditshëm. Ai e mban dorën mbi kokën e një buallice, gjoja se po e ledhatonte, por mes dorës së tij dhe kokës së kafshës, përpos një shufre të trashë metalike, qëndrojnë edhe disa dhjetëra centimetra.
Nuk dihet nëse Peci është frikësuar se kafsha mund të tregohet agresive me brirë, edhe pse buallica nuk do të mund ta sulmonte ministrin për shkak të pengesës metalike, por zor të besohet se ajo ka mundur ta ndiejë ngrohtësinë e “ledhatimit” të dorës së ministrit nga distanca.
Mësa duket, Peci parapëlqen që të mos rrezikojë shumë, sidomos kur bëhet fjalë për ndërveprimet me kafshë që kanë brirë. Siç është ajo thënia në gjuhën angleze, “Better safe than sorry.”