A e dëboi Top Channel për herë të dytë gazetarin Sokol Balla?
Ditë më parë në mediat në Shqipëri u përfol për një largim të mundshëm ta gazetarit që drejton emisionin politik “Top Story” në Top Channel.
Në emisionin e kaluar, ishte vetë Balla që paralajmëroi një gjë të tillë i cili tha se do të donte qëndrimin në Top Channel, por siç thoshte Balla, kjo gjë varet edhe nga pala tjetër.
“Si gjithmonë shprehja duhet të ishte shihemi të hënën në orën 21:00. Unë, se kanë dalë disa portale se Sokol Balla ikën në televizion tjetër, unë nuk iki në televizion tjetër, ose më saktë nuk dua të iki asgjëkundi tjetër, pasi e konsideroj Topin si shtëpinë time. Sigurisht në çdo marrëdhënie njerëzore, marrëdhëniet janë dy palshe, nëse një palë nuk do tjetri duhet të largohet. Në këtë rast pala që do të rrijë jam unë”, kishte thënë Balla.
Ndërkaq, sonte (e hënë) ky emision nuk është shfaqur në këtë televizion, që lë të nënkuptohet se Balla dhe Top Channel i kanë ndarë rrugët.
Mediat në Shqipëri kishin raportuar se Balla ka pasur përplasje me aksionerën e këtij televizoni Lori Hoxha.
Për këtë rast ka shkruar edhe opinionisti Ermal Mulosmani, i cili ka thënë se deklarata e Ballës ishte skandaloze për shkak se sipas tij Balla nuk duhet t’i shprehnte problemet personale në një hapësirë mediatike që i është dhënë.
“Atij i ishte dhënë në mirëbesim një hapësirë televizive për të bërë emision debati politik. Ai nuk ka të drejtë të flasë në televizion për hallet e tij personale me punëdhënësit, as të lutej publikisht që mos ta hiqnin nga puna. Të shfrytëzosh hapësirën publike të transmetimit, të dhënë në mirëbesim, është shkelje flagrante e atij kodi mirëbesimi. Duhej të mjaftonte aq për ta flakur si të padenjë. Dhe e paskan flakë. Bravo për drejtuesit”, ka shkruar Mulosmani.
Sokol Balla u rikthye pas disa vitesh në “Top Channel”, pas largimit të ish-drejtorit të përgjithshëm Ben Blushi. Balla mori drejtimin e informacionit dhe emisionin ku ishte vetë autor.
Balla ishte larguar nga Top Chanel në dhjetorin e vitit 2017 teksa me 1 mars të këtij viti është kthyer pas largimit të ish-drejtorit të përgjithshëm Ben Blushi.
Gazetari mori drejtimin e informacionit dhe emisionin ku ishte vetë autor, mirëpo siç duket kjo mund të jetë ndarja përfundimtare mes gazetarit dhe mediumit.