74 për qind e izraelitëve e përkrahin përfundimin e luftës, nëse lirohen të gjitha pengjet
74 për qind e izraelitëve, përfshirë 60 për qind të atyre që e kanë votuar koalicionin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, mbështesin një marrëveshje me Hamasin me të cilën do të sigurohej lirimi i të gjitha pengjeve përnjëherë në këmbim të përfundimit të luftës, sipas një sondazhi të publikuar në kanalin “Channel 12”.
Vetëm 8 për qind e pjesëmarrësve në sondazh e mbështetën versionin e marrëveshjes që po çohet përpara nga Netanyahu, me të cilin do të liroheshin gjysma e pengjeve dhe do të vihej themeli për bisedime rreth një armëpushimi të përhershëm dhe lirimit të pjesës së mbetur të pengjeve.
12 për qind e pjesëmarrësve refuzuan çfarëdo marrëveshjeje që e përfshin përfundimin e luftës, ndërsa 6 për qind thanë se nuk dinë se çfarë të zgjedhin, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Kur u pyetën se pse Netanyahu po këmbëngul për një marrëveshje për lirimin e pengjeve në faza, 49 për qind e pjesëmarrësve në sondazh thanë se arsyet e tij janë politike, 36 për qind thanë se arsyet e tij kanë të bëjnë me sigurinë, ndërsa 15 për qind thanë se nuk e dinë.
Netanyahu tha në një takim me familjet e pengjeve në Uashington të mërkurën se një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i liruar të gjitha pengjet “kurrë nuk ishte opsion”, sipas transmetuesit publik “Kan TV”.