700 punëtorë pa paga, nesër RTK në grevë
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së njoftoi se të hënën, nga ora 11:00 deri në 13:00, të gjithë sektorët e Radio-Televizionit të Kosovës do të hyjnë në grevë. Sipas sindikatës, nëse situata mbetet e paqartë dhe kërkesat nuk adresohen, ajo do të vendosë për “bojkot të shumicës së emisioneve dhe lajmeve në RTK”.
Në njoftim thuhet se gjatë grevës, krahas ndaljes së punës, do të organizohen protesta dhe do të ndërmerren veprime simbolike në transmetim “si shenjë e protestës për situatën e rëndë që po kalojnë kolegët dhe transmetuesit publik”. Sindikata ftoi mediat të jenë të pranishme në fillimin e grevës së përgjithshme.
Ajo thekson se veprimi vjen pas dërgimit të kërkesave dhe njoftimit të akterëve përkatës “7 ditë më parë, në përputhje me ligjin për grevat”. Sindikata kërkon që menaxhmenti të marrë vendim për “bojkotimin e fushatës zgjedhore dhe ngjarjeve me karakter politik”, duke paralajmëruar se, nëse kjo nuk ndodh, vendimin do ta marrë vetë.