65 zyrtarë policorë trajnohen për menaxhimin e turmave
Në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë është mbajtur prezantimi përmbyllës i trajnimit profesional “Ballafaqimi me turma”, ku morën pjesë 65 zyrtarë policorë të Njësisë për Reagim të Shpejtë Operativ (NJRSH) nga rajonet e Prishtinës, Ferizajt, Pejës, Gjakovës, Gjilanit, Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut.
Trajnimi është udhëhequr nga instruktorët e DNJSO-së dhe është zhvilluar në Kampin “Vrella” si dhe në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri”, me fokus në avancimin e aftësive profesionale dhe operative për menaxhimin e situatave me turma dhe ruajtjen e rendit publik.
Në kuadër të këtij trajnimi është realizuar edhe një skenar praktik për menaxhimin e turmave, i cili u përcoll nga afër nga drejtues të lartë të Policisë së Kosovës, përfshirë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, si dhe eprorë të tjerë të lartë të PK-së.
Me këtë rast, Hoxha përgëzoi pjesëmarrësit dhe instruktorët për realizimin me sukses të trajnimit, duke vlerësuar nivelin e lartë të profesionalizmit të treguar në menaxhimin e turmave dhe kontrollin e situatave të sigurisë.
Ai theksoi gjithashtu përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Policisë së Kosovës ndaj zyrtarëve policorë, veçanërisht njësive të specializuara.