6 gusht, ora 10:00: Haxhiu fton deputetët në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës
Albulena Haxhiu ka ftuar deputetët e zgjedhur në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet të enjten, më 6 gusht.
Sipas njoftimit, seanca do të nisë në orën 10:00 dhe do të zhvillohet në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Në ftesën drejtuar deputetëve, Haxhiu u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të legjislaturës së re që të marrin pjesë në këtë seancë, duke bërë të ditur se rendi i ditës është bashkëngjitur në dokumentin zyrtar.
Në rend dite janë paraparë:
- Betimi i deputetëve;
- Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit;
- Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca konstituive pritet të shënojë fillimin e punës së legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Data e mbajtjes së kësaj seance ishte caktuar më herët nga Haxhiu në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes.
Në vendimin e saj thuhet se, duke u mbështetur në nenet përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjin për Presidentin dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026, është vendosur që mbledhja e parë e Legjislaturës së Njëmbëdhjetë (XI) të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbahet më 6 gusht 2026, duke filluar nga ora 10:00.