55 OJQ kërkojnë shkarkimin e Baljes nga pozita e kryetares së Komisioni për të Drejtat e Njeriut
55 organizata jo qeveritare i kanë kërkuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që deputetja Duda Blaje të shkarkohet nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.
Në letrën publike të drejtuar kryeparlamenatarit Konjufca, këto OJQ kanë kërkuar që nga ky komisioni të largohet edhe deputetja Labinotë Demi Murtezi.
Në këtë letër është thënë se nuk mund të mbajnë pozita të tilla deputet që kanë qëndrime homofobe.
“Me datë 07.02.2024, gjatë takimit të këtij komisioni me shoqërinë civile të thirrur nga Duda Balje me temën “Gjendja aktuale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë” ne u përballëm me një tjetër demonstrim të homofobisë dhe diskriminimit ndaj komunitetit LGBTIQ+ nga zyrtare publike, njëherësh përfaqësuese e popullit të Kosovës. Kërkesat tona janë të thjeshta dhe të qarta: HOMOFOBET S’KANË VEND N’KUVEND! Ne nuk mund të pranojmë që një individ me pozitë kaq të rëndësishme, siç është kryetarja e Komisionit për të Drejta të Njeriut, të shpërdorë pozitën dhe të shfaqë qëndrime homofobe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, është thënë në letrën e 55 OJQ-ve.
Sipas tyre, deklaratat e deputetes Balja ndaj këtij komuniteti kanë qenë fyese dhe denigruese.
“Duda Balje, në deklaratat e saj publike, ka mbetur e palëkundur në qëndrimin e saj diskriminues ndaj personave LGBTIQ+. Duke përdorur argumentin e "mendimit personal," ajo ka injoruar faktin se funksionet publike, veçanërisht ato në fushën e të drejtave të njeriut, duhet të kujdesen për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të çdo individi, pavarësisht orientimit seksual apo çfarëdo përkatësie tjetër. Deklarata shpifëse dhe diskriminuese vazhduan edhe nga deputetja Labinotë Demi Murtezi, prezente në këtë takim, që publikisht deklaroi që “PERSONAT LGBTIQ+ TRANSMETOJNË SËMUNDJE”, deklaratë të cilin e kemi dëgjuar edhe më parë nga ajo në seancën parlamentare të 16 marsit të vitit 2022. Duda Balje dhe Labinotë Demi Murtezi nuk mund të përfaqësojë objektivitetin dhe pavarësinë e një komisioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Homofobia dhe diskriminimi nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse”, është thënë në letrën në fjalë.