5-vjeçari dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK, dyshohet për keqtrajtim - NACIONALE

5-vjeçari dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK, dyshohet për keqtrajtim

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Në Klinikën e Pediatrisë në QKUK është pranuar një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani me plagë të rënda në shputat e këmbëve.

Në një njoftim për media, ShSKUK bën me dije se dyshohet për keqtrajtim të mundshëm.

“Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim. Menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent të fëmijës në Klinikën e Pediatrisë, përkatësisht në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim të mëtejmë

Për shkak të dyshimeve për keqtrajtim të mundshëm, janë njoftuar Policia dhe punëtorët socialë, në përputhje me procedurat ligjore” – thuhet në njoftim.

Fëmija ndodhet në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabil.

“Fëmija po trajtohet nga një ekip multidisiplinar dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabil.

Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin.

Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale.

Fëmija aktualisht ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe të punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla” – thuhet tutje.

Lajme të ngjashme