4,967 nxënës do t’i nënshtrohen Testit të Maturës të shtunën, provimi mbahet në 55 qendra
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se gjithsej 5,033 kandidatë kanë aplikuar për Provimin e Maturës përmes platformës eKosova.
Pas shqyrtimit dhe verifikimit të aplikimeve, janë aprovuar 4,967 aplikime.
Provimi i Maturës do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2026, duke filluar nga ora 10:00, në gjithsej 55 qendra të testimit.
Sipas njoftimit të ministrisë, të gjithë komisionarët dhe administruesit duhet të jenë të pranishëm në qendrat përkatëse një orë para fillimit të provimit, me qëllim të sigurimit të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit.
Ndërkaq, kandidatët duhet të paraqiten në qendrën e testimit të përcaktuar në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokumentin përkatës të identifikimit.
MASHTI ka kërkuar respektimin e plotë të udhëzimeve dhe rregullave të përcaktuara për administrimin e Provimit të Maturës, me qëllim të garantimit të një procesi të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë kandidatët.