18 kosovarë vdiqën tragjikisht në vendin e punës vetëm këtë vit
18 persona kanë vdekur në vendin e punës. Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se shkaktarë të vdekjes janë faktori njeri dhe mungesa e mjeteve mbrojtëse.
Kryeinspektori i punës, Hekuran Nikçi, i tha Radio Kosovës se janë realizuar mbi tre mijë inspektime dhe janë shqiptuar 190 masa ndëshkimore.
Sindikata e Sektorit Privat thotë se është shqetësues numri i vdekjeve në vendin e punës.
Kryesindikalisti Jusuf Azemi i tha Radio Kosovës se në vitin 2018 kanë humbur jetën 27 persona, kurse në vitin 2022 vdekjen në vendin e tyre të punës e kanë gjetur 18 persona.
“Në vitin 2018, në vendin e punës kanë humbur jetën 27 persona, numër jashtëzakonisht i madh. Ndërsa në vitin 2019 kemi 17 raste, në vitin 2020 kemi 15 raste, në vitin 2021 kemi 14 raste dhe këtë vit, fatkeqësisht, kemi 18 raste të vdekjes në vendet e punës”, tha Azemi.
Shkaktar i këtyre rasteve me fatalitet është faktori njeri për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse në vend të punës. Azemi tha se vendi po përballet me mungesë të madhe të inspektorëve, të cilët, aq sa janë, edhe po ta bëjnë maksimumin, do të jetë e pamundur, sipas tij.
“Në vitin 2014 kemi pasur mbi 64 inspektorë dhe tani, në vend që të rritet ky numër, ne kemi dyfish më pak inspektorë. Inspektorët nuk janë duke bërë sa duhet, pasi punën më të “rëndën” që e kanë pasur, është që, kur ka vdekur një person, kanë bërë raport dhe e kanë përcjellë në organe përgjegjëse dhe ka përfunduar me kaq”, shtoi ai.