14-vjeçari bëri 25 lajmërime të rreme, Policia e zbulon dhe e interviston
Një djalë 14 vjeçar ka bërë saktësisht 25 lajmërime të rreme. E më në fund Policia e Kosovës e ka identifikuar personin në fjalë.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ka bërë 25 lajmërime apo kallëzime të rreme në aplikacionin “Lajmëro Policinë”, të cilat 14-vjeçari i ka bërë ndërmjet datave 8 janar deri më 14 gusht të vitit 2022.
Policia njofton se i dyshuari është liruar pas intervistimti, ndërsa ndaj 14-veçarit është inicuar rast për “lajmërim apo kallëzim të rremë”.
“Sektori i Hetimeve në Stacionin Policor në Rahovec në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, për një kohë ka zhvilluar hetime për zbulimin e kryesit të kësaj vepre duke përdorur teknika të ndryshme të hetimit dhe duke aplikuar masa të fshehta. Me datë 15 gusht 2022 është arritur të identifikohet dhe arrestohet një person i dyshuar (mashkull/shqiptar/kosovar, i moshës 14 vjeçare), i cili në prani të avokatit mbrojtës dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale është intervistuar dhe në tërësi ka pranuar se ka bërë lajmërime të rreme. Si provë materiale është sekuestruar një telefon mobil i cili është përdorur për paraqitjen e këtyre veprave. I dyshuari pas intervistimit është liruar, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast “Lajmërim apo kallëzim i rremë””, thuhet në njoftimin e Policisë.