104 vjet miqësi: Ambasada Amerikane rrëfen historinë e vulës së fshehur për 40 vjet në Tiranë
Ambasada Amerikane në Tiranë ka kujtuar 104-vjetorin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, përmes historisë së vulës së Legatës Amerikane.
Sipas Ambasadës, kur Legata u mbyll pas pushtimit të Shqipërisë në vitin 1939, Loni Adami dhe bashkëshortja e tij, Andromaqi, rrezikuan gjithçka për ta fshehur vulën, të cilën e ruajtën për më shumë se 40 vjet.
Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ata zbuluan vendin ku e kishin fshehur vulën, në bodrumin e godinës së Ambasadës. Ajo vulë, sipas Ambasadës, ndodhet ende aty sot.
“Një miqësi që historia nuk mundi ta thyejë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.
Legata Amerikane në Tiranë ishte ndërtesa e parë e ngritur nga Departamenti Amerikan i Shtetit posaçërisht për të shërbyer si ambasadë, duke u bërë simbol i marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
“Dëshmia e kësaj qëndron sot në mjediset tona: vula e Ambasadës Amerikane që daton që nga vitet 1930. Kur Legata Amerikane u mbyll pas pushtimit të Shqipërisë në vitin 1939, Loni Adami dhe bashkëshortja e tij, Andromaqi, rrezikuan gjithçka për ta fshehur vulën, duke e ruajtur atë për më shumë se 40 vjet. Kur marrëdhëniet diplomatike u rivendosën më në fund, ata zbuluan vendin ku e kishin fshehur në bodrumin e godinës së Ambasadës - dhe po ajo vulë qëndron me ne sot. Një miqësi që historia nuk mundi ta thyejë”