Vendoset lokacioni për Teatrin e Operas dhe Baletit, kundërshton arkitekti Delija
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur me 37 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, lokacionin e ndërtimit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Këtë e ka konfirmuar me një postim në rrjetin e tij në Facebook edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, duke e falënderuar kryetarin e komunës, z. Përparim Rama për bashkëpunimin.
Megjithatë, lokacioni i vendosur në parkingun mbrapa “Pallatit të Rinisë”, shihet si i papërshtatshëm nga arkitektët.
Gazeta Nacionale e ka kontaktuar arkitektin Zymer Delija, i cili e ka shprehur kundërshtimin e tij për lokacionin e Teatrit të Operas dhe Baletit me një shpjegim të detajuar lidhur me këtë gjë.
“Objektet që kanë rëndësi të lartë për qytetin, nuk duhet të vendosen pranë njëra-tjetrës sepse kësisoji qyteti e humbet mundësinë për ta identifikuar një zonë me një objekt të rëndësisë së lartë. Ndryshe, këto quhen objekte “Foci” (term që shënjon fokusin e vëmendjes dhe orientimit në një qytet). Objektet e tilla, pavarësisht sa e si mund të jenë për nga madhësia fizike, bëhen shënjuese për zona të caktuara dhe bëhen pika orientimi. Pra, Prishtina e ka humbur këtë rast duke i vënë dy “landmarks” pranë njëra-tjetrës.Këtë, veçanërisht kryetari i Komunës që është akitekt me profesion primar, do të duhej ta kishte parasysh”, ka thënë Delija ekskluzivisht për Gazetën Nacionale.
Përndryshe, debati për lokacionin e Teatrit të Operas dhe Baletit është një debat i vjetër i cili ka provokuar shumë përplasje profesionale e politike. E, Delija ka pasur shpjegim edhe për këtë.
“Në Kosovë mungon debati për arkitekturën. Para se të debatohet për lokacionin e një objekti, duhet të debatohet për vetë debatin që mungon. Pse s’kemi strategji nacionale të urbanizmit? Pse s’kemi konferenca shkencore që adresojnë shqetësime urbanisitike, të cilat mund t’i dërgohen si rekomandime profesionale institucioneve? Kjo që po ndodh me Teatrin, dhe jo vetëm me të por edhe me secilin debat që ka në qendër arkitekturën, është thjesht simptomë e kësaj mungese.”
I pyetur nga Gazeta Nacionale se cila do të ishte zgjidhja përfundimtare për këtë çështje, Delija u shpreh:
“Urbanizmi nuk është shkencë ekzakte, dhe si e tillë nuk është përfundimtare. Opinionet variojnë nga shkollimi, orentimi i rrymës së mendimit të cilës i takon një arkitekt, e mbi të gjitha, nevojat e një qyteti që do të duhej të përfshiheshin në një strategji të përpiluar nga profesionistët e fushës. Megjithatë, për dallim edhe prej disiplinave specifike artistike, urbanizmi e ka konsum çdo shtresë të shoqërisë. Gjithkujt mund të mos i pëlqejë një objekt, por ai duhet të jetë funksional dhe i menduar me kujdes që të shërbejë sa më shumë që të jetë e mundur”, është shprehur në fund Delija.