Vajza e Kadaresë: Blushi keqpërdori një bisedë të rëndomtë të shkrimtarit shqiptar
Vajza e shkrimtarit Ismail Kadare, Besiana ka reaguar ndaj shkrimit Ben Blushi, i cili ka publikuar një bisedë në formë të një interviste me shkrimtarin e njohur shqiptar.
Në profilin e saj në "Facebook", vajza e Kadaresë ka bërë me dije se Kadare nuk ka dhënë asnjë intervistë për Blushin.
Ky i fundit, sipas saj, ka keqpërdorur një bisedë të rëndomtë private që ka zhvilluar rastësisht në një kafene me shkrimtarin Kadare.
“Duke qenë se plot miq e të njohur më kanë pyetur këto ditë nëse Kadareja vërtetë i ka dhënë një intervistë Ben Blushit, dua të sqaroj publikisht se Ben Blushi, në fakt, ka krijuar një intervistë, pa dijeninë e tim ati, bazuar në një bisedë të rëndomtë private që ka zhvilluar rastësisht në një kafene me Kadarenë dhe shoqëruesen e tij, A. Bardhyli”, ka shkruar vajza e shkrimtarit të madh shqiptar.
Sipas saj, shfrytëzimi i një bisede të rëndomtë përbën një gjest të paligjshëm.
“Kohë më pas, Ben Blushi e ka publikuar bisedën në formë “interviste”, pa marre pëlqimin e bashkëbiseduesit, duke abuzuar kështu me besimin që iu akordua dhe me “kurajën” e çuditshme se po i zbulon publikut shqiptar sekrete të paditura. Një gjest ky sa imoral aq dhe i paligjshëm. Fatkeqësisht është bërë praktikë tashmë që gjithfarë njerëzish shpresojnë të bëjnë publicitet, duke u përpjekur të shfrytëzojnë në forma të ndryshme figurën e Kadaresë dhe kontaktin me të. Duke pasur parasysh moshën e thyer të tim ati, çdo përpjekje e këtij lloji është vërtet mjerane”, është shprehur e bija e Kadaresë.
