Tre librat e përkthyera në shqip të shkrimtares që fitoi “Nobel” - NACIONALE

Tre librat e përkthyera në shqip të shkrimtares që fitoi “Nobel”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Fituesja e këtij viti të çmimit Nobel, francezja Annie Ernaux është një nga shkrimtaret që tek së voni ka filluar të vlerësohet për letërsinë e saj. Librat e saj me histori tejet personale kanë hasur gjithmonë në momente kontraverse me audiencën dhe kritikën.

E di se rrëfimi im nuk do të përputhet asnjëherë me atë të ndonjë tjetri që përshkruan të njëjtin emocion, të njëjtën herë të parë, sepse do të jetë e tija dhe jo e imja. Për shembull, libri “Gruaja e ngrirë” tregon ndjesinë që kisha në moshë të re, atë ndjesi të të qenit vetëm në revoltën time shtëpiake. Për mua ishte shumë e nevojshme ta shkruaja. Por kur u botua libri në vitin 1981, në Francë më kritikuan: ky libër nuk është feminist, thoshin”, kishte thënë shkrimtarja në një intervistë të dhënë këtë vit kur u nominua për “Nobel”.

“Gruaja e ngrirë” nuk është e përkthyer në gjuhën shqipe, por janë së paku 3 të tjerë të autores që jane përkthyer në shqip e që mund t’i lexoni nëse çmimi “Nobel” ju inspiron për të lexuar.

"Kujtime vajze", "Pasion i thjeshtë" dhe "Vendi i babait" janë tre librat kryesor të cilët janë përmendur edhe në arsyetimin e Akademisë Suedeze që ndanë çmimet “Nobel” e që janë të përkthyera edhe në gjuhën shqipe. Mund t’i gjeni në shumicën e librarive por edhe të porositni online përmes shtëpive botuese.

“Vendi i babait"

Historia e një burri-në fillim fshatar, pastaj punëtor e më në fund menaxher i një dyqani bar-ushqimore-kinkaleri në një qytet të një province normande-gjithë kjo e rrëfyer me një precision kirurgjikal, pa empati dhe as ndjesi turpi, nga e bija shkrimtare. Kjo është historia e një gruaje që përballet me brishtësinë e dhimbshme të origjinës së vet dhe shkruan për prindërit e saj duke kërkuar tani një gjuhë të përbashkët, por të pamundur. Një shkrim i tendosur, pa asnjë shkarje, me një thjeshtësi të rafinuar duke e bërë çdo fjalë të vetme të shndërrohet në një thikë të mprehtë. “Vendi i babait” është një roman autobiografik që ia del mrekullisht, me qëllimin më ambicioz dhe fisnik të letërsisë: atë të dhënies së një eksperience personale një dimension universal, e cila na flet të gjithëve ne.

“Pasion i thjeshtë"

Një burrë dhe një grua shkëmbejnë një lidhje të fuqishme klandestine. Ai, i huaj, është i martuar dhe i vështirë për t'u kapur në çdo kohë. E lajmëron me një telefonatë kurdo që i ofrohet mundësia për të kaluar kohë së bashku. Takimet që vijojnë janë të shkurtra, me dashurinë që shkëmbejnë mes aktesh torturuese të përndjekura prej parandjenjës së ndarjes. Pastaj ajo e vëzhgon tek ai vishet e largohet, e që aty rinis - pikërisht aty ku kishte mbetur - ajo pritje obsesive: për të, për një telefonatë, për një kapërthim të ri trupash e dëshirash. Kur historia përfundon, burri dhe gruaja ndërpresin plotësisht çdo kontakt. Mbeten si një stampë e shënjuar në trup shenjat e seksit, dashurisë, pritjes; treguesit e një pasioni të thjeshtë.

“Kujtime Vajze”

Le Nouvel Observateur, Verë 1958. Për herë të parë larg familjes, një tetëmbëdhjetëvjeçare shkon në një kamp pushimesh duke shërbyer si kujdestare dhe aty zbulon vetveten: dashurinë, seksin, gjykimet e të tjerëve, stërmundimin për të jetuar rininë, etjen për liri. Përmes dritës së fotove të atyre kohëve dhe errësirës së kujtimeve të refuzuara, Annie Ernaux rijeton kohën tranzitore që e transformoi në një grua dhe shkrimtare, duke hetuar mendimet e veta, pritshmëritë, drojën (pa harruar çrregullimet e të ushqyerit dhe ankthet e fertilitetit) e "vajzës së viteve '58". Në këto faqe plot paqeti dhe dhimbjesh të fshehta, plot hove të papërmbajtshme e këngë- "Esperantoja e dashurisë"- është pikërisht turpi i së shkuarës që riprodhon kujtimet, duke u shfaqur kësisoj, në një dhuratë të papritur, një armë të mrekullueshme të "përplasjes me realitetin", që është dhe një nga joshjet më të mëdha të shkrimtarisë së Ernaux. "Kujtime vajze", është një refleksion i fuqishëm mbi shkrimtarinë dhe një epoke thelbësore të ekzistencës, është romani i ndaluar dhe i parrëfyeshëm që autorja e ka ndjekur për tërë jetën.

Lajme të ngjashme