The Penguin – Kryevepra e re nga DC Studios - NACIONALE

The Penguin – Kryevepra e re nga DC Studios

2 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Jon Krasniqi

Nuk ndodh shpesh që një shfaqje televizive të të mbaj të varur në çdo episod, duke numëruar ditët deri sa të vjen episodi tjetër. The Penguin, i krijuar nga Matt Reeves dhe Lauren LeFranc, ka arritur pikërisht këtë. Ky serial është lehtësisht seriali më i mirë në tematikën e superheronjve, edhe pse gjatë serialit janë pothuajse të pavërejtshme elementet e supernatyrales.

Vendimi i DC Studios për të zgjeruar universin e The Batman (2022) u prit me skepticizëm, veçanërisht në lidhje me atë nëse Oswald "Oz" Cobblepot (The Penguin) mund të ishte interesant si kryesues në një shfaqje televizive me 8 episode. Por "Penguin" shkatërron pritshmëritë, duke dhënë një storie të rëndë që balancon në mënyrë të përsosur bazën e librave komik dhe krijimin e një storie origjinale.

Duke i qëndruar besnik origjinës komike të personazhit ndërsa prezanton karaktere të rinj, shfaqja është një masterklasë në zhvillimin e personazheve dhe ndërtimin e botës së karaktereve. Colin Farrell është I panjohshëm (dhe fenomenal) si Oz, duke u zhdukur plotësisht në rol me ndihmën e maskave dhe prostetikës. Ndërkohë, Sofia Falcone, e luajtur nga Cristin Milioti sjell një prani të pamëshirshme por të traumatizuar, si dhe Deirdre O'Connell shkëlqen si nëna e Oz, Francis Cobblepot, duke shtuar një thellësi emocionale gjatë gjithë kaosit. Victor Aguilar i luajtur nga Rhenzy Feliz, si dhe aktori i ri Ryder Allen që luan një version të Ozit si fëmijë përmbyllin një kast që ndihet autentik dhe i zgjedhur në mënyrë perfekte.

Shfaqja ndihet si një përzierje emocionuese e Batman dhe The Sopranos - edhe pse pa praninë e Bruce Wayne. Është një dëshmi e forcës së krijimit të një storie që atmosfera e errët dhe e korruptuar e Gotham-it shkëlqen po aq mirë sa edhe krerët e krimit në zhvillim. Në tetë episodet e tij, The Penguin ju çon në një ‘rollercoaster’ të ndjenjave si dhe shokon me momente, me episodet më të spikatura 3, 4, 7 dhe 8.

Storia zhytet thellë në pasojat e The Batman (2022), ndërsa Gotham lufton të këndillet pas përmbytjes së qytetit, me ndjekjen e pamëshirshme të pushtetit të Oswald nga vakuumi i lënë nga vdekja e Carmine Falcone. Ai gjithashtu motivohet dhe është i shtyrë nga dëshira për t'i dhënë nënës së tij jetën që i ka premtuar gjithmonë.

Seriali arrin kulmin me një episod final mahnitës, duke treguar se sa thellësisht i trazuar është Oz në të vërtetë. Është një kujtesë se jo të gjithë keqbërësit kanë nevojë për motive racionale - disa thjesht kanë lindur për të qenë të këqij.

Ajo që bën shkëlqyeshëm The Penguin është lëvizja e karakterit kryesor mes kufirit të së keqit dhe antiheroit, vetëm për ta zhdukur atë në episodet e fundit, duke e forcuar Cobblepot si një nga ‘super- villains’ më të frikshëm të Gotham.

Fakt interesant: Michael Giacchino, kompozitori i The Batman (2022), ia kaloi pishtarin djalit të tij, i cili krijoi partiturën (muzikën) për The Penguin.

A duhet ta shikoni? Absolutisht. Ky është një serial që duhet parë për vitin 2024.

Vlerësimi: ★★★★★ (5/5)

Për më shumë sygjerime dhe shpjegime të filmave, ndiç @a.film.vault në Instagram.

Lajme të ngjashme