“The Guardian” shkruan për Dua Lipën, Sunny Hill-in dhe Kosovën
Gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, ka publikuar një artikull për mbajtjen e festivalit “Sunny Hill” këtë vit në Bërnicë të Poshtme, duke i përshkruar atmosferën në këtë ngjarje, përshtypjet e disa prej pjesëmarrësve dhe Kosovën si shtet me popullsi të re.
“Pasi e deklaroi pavarësinë nga Serbia vetëm në vitin 2008, Kosova është shteti më i ri në Evropë në më shumë se një mënyrë: mosha mesatare e qytetarëve të saj është 29,5, me gjasë e ndihmuar nga fakti që kosovarët e rinj deri rishtazi nuk mund të shfrytëzonin lirinë e lëvizjes brenda BE-së” – thuhet në reportazhin e të përditshmes së njohur britanike.
“Popullsia e saj prej 1,8 milion njerëzish është më pak se çereku i asaj të Nju-Jorkut, territori i saj tokësor më pak se 3-përqindëshi i Gjermanisë – që e bën ndikimin e madh të vendit të vogël ballkanik në muzikën pop ndërkombëtare edhe më të shquar” – thuhet më tej në këtë reportazh.
Në artikull, përpos Dua Lipës, përmenden edhe Rita Ora e Dhurata Dora, për të cilën gazeta tregon se ka mbi 860 milionë shikime në spotin e këngës së saj “Zemër” në “YouTube”.
Më tej, e përditshmja britanike i jep hapësirë edhe përfitimeve të Kosovës nga muzika pop.
“Përderisa muzika pop e Kosovës vazhdon që të shpërndahet nëpër glob, pyetja është se sa shumë prej këtij suksesi e përfiton edhe vendi i vogël nga i cili e ka prejardhjen ajo” – shkruhet në reportazh.
“Sipas Dukagjin Lipës, ndikimi ekonomik i festivalit “Sunny Hill” ndaj Prishtinës është rreth 20 milionë euro për një javë. Shumë hotele në qytet rezervohen tërësisht gjatë kohës së festivalit, por biletat me çmim prej 200 eurosh për person – pak më pak se gjysma e pagës mesatare të kosovarit – festivali është i paarritshëm për shumë banorë lokalë. Rreth 45 për qind e pjesëmarrësve në festival këtë vit udhëtuan nga vendet e huaja” – thuhet më tej.