“The Guardian”: Ismail Kadare, një jetë në citate - NACIONALE

“The Guardian”: Ismail Kadare, një jetë në citate

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, ka publikuar disa citate të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare pas vdekjes së tij në moshën 88-vjeçare. Bëhet fjalë për mendimet e shkrimtarit rreth totalitarizmit, Enver Hoxhës, gjuhës shqipe, librave, censurës e letërsisë bashkëkohore

Për totalitarizmin

“Ferri i komunizmit, si çdo ferr tjetër, ishte mbytje në kuptimin më të keq të fjalës, por letërsia e transformoi atë në një forcë jete, një forcë që të ndihmonte që të mbijetoje dhe ta mbante kokën lart e të fitoje kundër diktaturës.”

“Në një shtet të atij lloji, gjëja e parë për një shkrimtar është më e rëndësishmja, më thelbësorja, ajo është: mos e merr regjimin seriozisht. Ti je shkrimtar, do të kesh një jetë shumë më të pasur se që e kanë ata, ti je në njëfarë mënyre ose tjetër i përjetshëm në krahasim me ato lloje njerëzish, dhe në analizën e fundit, ti s’ke nevojë që të mërzitesh për ta fort.”

Për Enver Hoxhën

“Kur Hoxha i prishi lidhjet me Bashkimin Sovjetik më 1962, ishte i gatshëm për t’u kthyer nga Evropa, por u refuzua, prandaj bëri një aleancë jetëshkurtër e absurd me Kinën. Kur ajo shkoi keq, ndërtoi mijëra bunkerë anti-bërthamorë, për të cilët e dinte se ishin të kotë, por donte të krijonte një psikozë frike. Shqipëria vuajti më gjatë se secili shtet tjetër i Evropës Lindore.”

“Hoxha e fantazonte veten si intelektual dhe poet që ka qenë në Sorbonë dhe nuk donte të shihej si armik i shkrimtarëve. Natyrisht, do të mund të më vriste në një “aksident me veturë”, ose përmes “vetëvrasjes”, siç vrau shumë të tjerë.”

Për përshkrimin si shkrimtar politik

“Unë jam i mendimit se nuk jam shkrimtar politik dhe, për më tepër, përderisa bëhet fjalë për letërsinë, në të vërtetë nuk ka shkrimtarë politikë. Unë mendoj se shkrimet e mia nuk janë më politike se teatri i lashtë grek. Do të isha bërë shkrimtari që jam në çfarëdo regjimi politik.”

“Unë kurrë nuk kam pretenduar se jam “disident” në kuptimin e duhur të shprehjes. Kundërshtimi i hapur ndaj regjimit të Hoxhës, si kundërshtimi i hapur ndaj Stalinit gjatë sundimit të Stalinit në Rusi, ishte i pamundshëm. Disidenca ishte pozicion që nuk mund ta zinte askush, madje as për pak ditë, pa u ballafaquar me skuadrën e qitjes. Në anën tjetër, librat e mi në vete përbëjnë një formë shumë të qartë të rezistencës ndaj regjimit.”

Për suksesin ndërkombëtar

“Në njërën anë, kjo e siguronte mbrojtjen për mua në lidhje me regjimin, në anën tjetër isha vazhdimisht nën vëzhgim. Ajo që ngjallte dyshim ishte “pse borgjezia perëndimore mban në vlerësim të lartë një shkrimtar nga një shtet stalinist?”

Për gjuhën shqipe

“Për mua si shkrimtar, shqipja është mjet i jashtëzakonshëm i të shprehurit – e pasur, e lakueshme, e përshtatshme.”

Për librat

“I urreja librat sovjetikë, plot rreze dielli, duke punuar në fusha, pranvera plot hare, vera plot shpresë. Hera e parë që i dëgjova fjalët “shpresë” dhe “punë e madhe”, më bënin që ta hapja gojën nga përgjumja.”

“Ati themeltar i letërsisë shqipe është shkrimtari i shekullit XIX, Naim Frashëri. Pa e pasur madhështinë e Dantes ose Shekspirit, ai megjithatë është themeltari, karakteri emblematik. Ai shkroi poema të gjata epike si dhe poezi lirike, për ta zgjuar ndërgjegjen kombëtare të Shqipërisë. Pas tij erdhi Gjergj Fishta. Mund të themi se këta dy janë gjigantët e letërsisë shqipe, ata që fëmijët i mësojnë në shkolla. Më vonë erdhën poetë e shkrimtarë të tjerë që sollën ndoshta libra më të mirë se këta dy, por ata nuk e zënë vendin e njëjtë në kujtesën e kombit.”

Për censurën

“Në të gjashtëdhjetat e hershme, jeta në Shqipëri ishte e këndshme dhe mirë e organizuar. Një shkrimtar nuk do të dinte se do të duhej të shkruante për falsifikimin e historisë.”

“Për një shkrimtar, liria personale nuk është aq e rëndësishme. Nuk është liria individuale ajo që e garanton madhështinë e letërsisë, në të kundërtën shkrimtaret në vende demokratike do të ishin sipërorë ndaj të gjithë të tjerëve. Disa prej shkrimtarëve më të mëdhenj kanë shkruar nën diktatura – Shekspiri, Servantesi. Letërsia e madhe universale gjithmonë ka pasur marrëdhënie tragjike me lirinë. Grekët hoqën dorë nga liria absolute dhe vendosën rend ndaj mitologjisë kaotike, si tiran. Në perëndim, problemi nuk është liria. Ka skllavëri të tjera – mungesa e talentit, mijëra libra mediokër të publikuar për çdo vit.”

“Unë kam krijuar një trup të punës letrare gjatë kohës së dy sistemeve politike diametralisht të kundërta: një tirani që zgjati 35 vjet (1955 – 1990) dhe 20 vjet liri. Në të dyja rastet, gjëja që mund ta shkatërronte letërsinë është e njëjta: vetëcensurimi.”

Për letërsinë bashkëkohore

“Thonë se letërsia bashkëkohore është shumë dinamike, sepse ndikohet nga kinemaja, televizioni, shpejtësia e komunikimit, por e kundërta është e vërtetë! Nëse i krahasoni tekstet e antikitetit grek me letërsinë e sotme, do të vëreni se klasikët operonin në një terren shumë më të madh, pikturonin në piktura shumë më të gjera dhe kishin një dimension pafundësisht më të madh.”

“Tërë kjo zhurmë për inovacionet, zhanret e reja, është boshe. Është letërsia e vërtetë dhe pastaj pjesa tjetër.”

Për të qenët shkrimtar

“Nuk punoj më gjatë se dy orë në ditë.”

“Të shkruarit nuk është punë as e lumtur, as e palumtur – është diçka në mes. Është pothuajse jetë e dytë.”

“Jam shumë mirënjohës për letërsinë, sepse ta jep mundësinë për ta tejkaluar të pamundurën.”

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme