Studimi sugjeron se dhurimi i spermës, ashtu si i organeve, duhet të lejohet pas vdekjes - NACIONALE

Studimi sugjeron se dhurimi i spermës, ashtu si i organeve, duhet të lejohet pas vdekjes

4 vjet më parë

nga NACIONALE

A është thyerje etike përdorimi i spermës së një njeriu të vdekur, për të mbetur shtatzënë?

Nëpër shumë vende të botës hasen mungesa e dhuruesve të spermës për shkak të kërkesave të larta për pranim dhe ligjeve të ndryshme në lidhje me anonimitetin e dhuruesve.

Një artikull i kohëve të fundit sugjeroi që, si zgjidhje, duhet marrë në konsideratë lejimin e burrave që të zgjedhin të dhurojnë sperëm e tyre pas vdekjes, njësoj siç bëjnë burrat dhe gratë për dhurimin e organeve.

Është teknikisht e realizueshme, por si do të tejkaloheshin çështjet komplekse etike dhe ligjore që lidhen me një propozim të tillë?

A mund dhe a duhet ‘të rilindinin’ të vdekurit? Po dhe po, thotë një artikull i fundit i botuar në Journal of Medical Ethics.

Britania e Madhe po përballet me një krizë të donatorëve të spermës. Sipas artikullit, ‘depot’ e spermës në Mbretërinë e Bashkuar marrin vetëm disa qindra donatorë të rinj në vit, duke i detyruar ata të importojnë mijëra mostra sperme nga SHBA dhe Danimarka, të cilat dominojnë tregun global për dhurimin e spermës për shkak të furnizimit të tyre të lartë.

Këto vende kanë një furnizim të lartë të spermës, kryesisht për shkak të ligjeve dhe rregulloreve që mbrojnë anonimitetin e dhuruesit. Në MB për shembull, foshnjat e lindura nga dhurimet e spermës lejohen të kontaktojnë babanë e tyre biologjik pasi të mbushin 18 vjeç, një konfrontim emocional që i largon shumë dhurues potencialë.

Në fakt, në një studim të vitit 2016 me bazë në SHBA, 29% e donatorëve aktualë thanë se do të kishin refuzuar të dhuronin spermën nëse nuk do të ruhej anonimiteti i tyre.

Si mund ta rrisim furnizimin e dhuruesve të spermës, ndërkohë që njëkohësisht t’i mbrojmë donatorët nga një konfrontim që mund të jetë i rrezikshëm dhe t’u sigurojmë fëmijëve të drejtën për të njohur prejardhjen e tyre?
- Lejoni dhurimin e spermës pas vdekjes!

Burrat mund të zgjedhin të bëhen donatorë të spermës pas vdekjes së tyre, ashtu siç bëjnë si dhuruesit e organeve. Në jo më shumë se 48 orë pas vdekjes, spermatozoidet mund të ‘shpëtohen’ nëpërmjet operacionit ose përmes stimulimit elektrik të prostatës mund ‘të ngrihen’ për përdorim të mëvonshëm.

“Nëse është moralisht e pranueshme që individët të mund të dhurojnë indet e tyre për të lehtësuar vuajtjet e të tjerëve dhe të kryhen transplantet që përmirësojnë jetën e të shërojnë nga sëmundje të ndryshme”, shkruan Mat Davls – autor i artikullit, “ne nuk shohim arsye që kjo të mos mund të shtrihet si formë për të shëruar vuajtjejen nga infertiliteti”.

Një mëdyshje ligjore dhe etike?

Siç rezulton, kjo ide nuk është edhe aq e re. Marrja e parë e spermës pas vdekjes ndodhi në vitin 1980 pasi një burrë 30-vjeçar pësoi një dëmtim fatal të trurit në një aksident me makinë. Familja e tij kërkuan që të ruhej sperma e tij, gjë që u bë me operacion menjëherë pasi ai ishte shpallur i vdekur.

Që atëherë, ka pasur rimarrje të shumta të spermës pas vdekjes, por ato kanë ekzistuar gjithmonë në një ‘zonë gri’ të ligjshme. Për shembull, në vitin 1997, një burrë në Mbretërinë e Bashkuar i quajtur Stephen Blood pas një infeksioni virusal, ra në koma dhe vdiq shpejt pas kësaj; ndërkohë që guraja e tij, Diane Blood, kishte kërkuar që mjekët të nxjerrin dy mostra të spermës nga z. Blood.

Megjithatë, Autoriteti i Fertilizimit Njerëzor dhe Embriologjisë në Mbretërinë e Bashkuar e kishte ndaluar znj. Blood që t'i përdorte ato mostra për të mbetur shtatzënë, pasi zoti Blood kishte ndërruar jetë përpara se të jepte pëlqimin me shkrim për procedurën.

Në Mbretërinë e Bashkuar, dhurimi i spermës pas vdekjes është i paligjshëm pa pëlqimin me shkrim.

Pas një apeli, znj. Blood u lejua të kërkonte trajtim të fertilitetit jashtë MB, dhe më vonë lindi një djalë.

Vende të tjera, si Franca, Gjermania dhe Tajvani, kanë një ndalim të plotë të fekondimit pas vdekjes. Në të njëjtën kohë, vende si SHBA dhe Belgjika nuk kanë asnjë legjislacion mbi këtë temë.
Duke pasur parasysh natyrën komplekse ligjore, etike dhe mjekësore të fekondimit pas vdekjes, kjo gamë e përgjigjeve legjislative nuk është e papritur. Për shembull, a është etike ruajtja e spermës së një individ që nuk ka dashur kurrë të bëjë fëmijë, në një vend ku popullsia e re po pakësohet dhe donatorët e spermës janë kaq të paktë?

Një problem i tillë po haset në shumë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar. A është e arsyeshme të ruhet sperma nga donatorët që kanë vdekur dhe të cilët, si rrjedhojë, kanë më shumë gjasa të jenë më të moshuar dhe me spermë më pak të shëndetshme? A konsiderohet pasardhësi i një dhuruesi të vdekur të spermës si trashëgimtar ligjor i dhuruesit?

Këto dhe çështje të tjera turbullojnë ujërat për vendet kur hartojnë politika rreth dhurimit të spermës pas vdekjes. Megjithatë, autorët e artikullit të fundit të Journal of Medical Ethics argumentojnë se lejimi i kësaj procedure është së paku etikisht i lejueshëm dhe ka të ngjarë të jetë i dobishëm për shoqërinë në përgjithësi.

“Dhurimi i spermës për njerëzit që u mungon aftësia për tu riprodhuar por që duan të kenë fëmijë, nënkupton përmbushje të dëshirave të tyre riprodhuese,” shkruajnë autorët.

“Është e realizueshme dhe moralisht e lejueshme për burrat që të dhurojnë spermën e tyre vullnetarisht, në këtë mënyrë do të sigurohej sasi e mjaftueshme e spermës”, tha Davls.

Lajme të ngjashme