Speak No Evil – Regjia nga James Watkins
Shkruan: Jon Krasniqi
Speak No Evil është një triller psikologjik, që bie në sy në një muaj plot me filma të panevojshëm si Beetlejuice, Beetlejuice. Edhe pse ky film është një riprodhim hollivudian i filmit danez të vitit 2022 me të njëjtin emër, pika kryesore tërheqëse është padyshim James McAvoy. Vetëm performanca e tij e bën filmin të vlefshëm për t’u parë, madje edhe për ata që e kanë parë verzionin origjinal. Normalisht, do të kishte më shumë kuptim që të kalonin disa vite mes origjinalit dhe riprodhimit, por kur McAvoy është I përfshirë, nuk ka vend për ankesë.
Historia fokusohet tek Ben (Scoot McNairy) dhe Louise (Mackenzie Davis), një çift që takojnë Paddy (James McAvoy) dhe Ciara (Aisling Franciosi) gjatë një pushimi në Itali. Ajo që fillon si një ndërveprim miqësor, shndërrohet në diçka të errët kur Ben dhe Louise pranojnë ftesën e Paddy dhe Ciara-s për të vizituar shtëpinë e tyre në periferi në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa dy çiftet fillojnë të njohin njëri tjetrin më shumë, çarjet fillojnë të shfaqen në marrëdhëniet mes tyre dhe ngjarje të çuditshme zhvillohen, duke çuar në një fund të tensionuar dhe shokues.
Filmi e portretizon në mënyrë të shkëlqyer se sa e lehtë është të mashtrohesh nga takimi i parë dhe sa mizore mund të jetë natyra e njeriut. Gjithashtu vlen të ceket morali i ngjarjes së filmit, se jo gjithmonë heroi i filmit është gjinia mashkullore.
Gjithsesi, performanca e McAvoy dhe Davis e bënë filmin shumë interesant, duke sjellë tension dhe argëtim në shumë skena. Ndërsa Speak No Evil nuk largohet shumë nga ngjarjet e origjinalit, ai arrin të qëndrojë në këmbët e tij falë performancave të shkëlqyera dhe perspektivës hollivudiane. Nëse jeni në kërkim të një trilleri me më shumë thellësi psikologjike sesa horrorët e zakonshëm, ky film ja vlen kohën tuaj.
Shikoni në kinema, shiko në shtëpi, apo injorojeni?
Shiko në kinema, ndërsa versionin Speak No Evil (2022) në shtëpi.
Vlerësimi: 3 yje nga 5
Për më shumë shpjegime të filmave, fakte interesante, apo sygjerime, ndiqni faqen në Instagram: @a.film.vault