"Sofër me fëmijë": Pse teksti i këngës së Shqipërisë në Eurovision mund të jetë problematik?
Shqipëria i mori vetëm 76 pikë në natën finale të Eurovisionit duke u renditur e 22-a. Por, çka na thotë teksti i këngës që po kritikohet aq shumë?
Analisti Rron Gjinovci e quajti “primitive e provinciale” paraqitjen e familjes Kelmendi që përfaqësoi mbrëmë Shqipërinë.
“Primitivizmi e provincializmi nuk kalojnë në Evropë,” – u shpreh z. Gjinovci në profilin e tij në Facebook.
Aktivistja Gresa Hasa po ashtu e kritikoi këngën duke u shprehur: “moralizma b*the”.
Por, a është përnjëmend kështu?
Teksti i këngës lë përshtypjen se “Po”.
Ky tekst – ani pse intepretohet nga e gjithë familja – shprehet me përemrin vetor “unë”. Që nënkupton se dikush i kërkon një çifti që të mos ndahet.
“Janë tu u nda; Veç për një fjalë; Janë tu u nda; Dashninë kanë vra!” – thuhet aty.
Nëse një çift dëshiron të ndahet për një fjalë, dy, tri, apo pesëqind është një çështje që ekskluzivisht i takon po atij çifti. Është evidente se numri i shkurorëzimeve është rritur, por megjithatë është e vërtetë se liria e grave për të vendosur është rritur.
Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2022, ishin shkurorëzuar 241 çifte kosovare. Por, megjithatë të përzihesh deri në këtë shkallë?
“Janë tu u nda; E kanë harru; Se kanë një shpi; Sofër me fëmijë!”
Nëse marrim parasysh edhe faktin që e gjithë familja interpreton një këngë të të tillë me një mesazh të tillë, atëherë çështja bëhet edhe më kontroverse. Kujtojmë se statisikat e dhunës në familje janë tmerruese në Kosovë, e po ashtu edhe në Shqipëri, ndërkohë që në shumicën dërmuese të rasteve janë gratë ato të cilat e pësojnë më së shumti.
