Sinners – Regjia nga Ryan Coogler
Shkruan: Jon Krasniqi
Dyshja e pandalshme Michael B. Jordan dhe Ryan Coogler rikthehen. Që nga Fruitvale Station, ata kanë ndërtuar diçka të fuqishme në botën e filmit dhe Sinners mund të jetë krijimi i tyre më i guximshëm deri më sot.
Sinners ka mbërritur më në fund në ekranin e madh dhe duhet ta them: është mahnitës. Tejet origjinal, me nuanca horrori dhe i vështirë për t’u përtypur pas vetëm një shikimi në kinema. Coogler, si regjisor, jep rëndësi të madhe në muzikën blues, e cila në film shërben si një homazh filmik, shpirtëror, dhe elektrizues.
Filmi shkëlqen më shumë kur lejon veten të zhytet krejtësisht në vizionin e vet, e cila duket si një ëndërr e keqe, një histori e çmendur vampirësh që shpesh harron se është film horror.
Me një kolonë zanore fantastike dhe një kast brilant (debutimi i Miles Caton është për t’u mbajtur mend), filmi të tërheq në diçka krejt të freskët. Michael B. Jordan luan dy personazhe krejt të ndryshëm, dhe është aq i mirë sa harron që po shikon të njëjtin aktor.
Historia e filmit? Dy binjakë (të dy të luajtur nga Michael B. Jordan) kthehen në vendlindjen e tyre të trazuar me shpresën për një fillim të ri, vetëm për të zbuluar se një e keqe edhe më e madhe i pret.
Në një moment gjatë filmit më erdhi një mendim: pas 10 ose 15 vitesh, Sinners mund të konsiderohet klasik, jo vetëm në zhanrin e vampirëve dhe filmave horror, por në filmografi në përgjithësi. Filmi nuk përpiqet të të bindë për asgjë, thjesht funksionon, i bën nder atyre që e kanë frymëzuar, dhe është krenarisht i çuditshëm dhe i paharrueshëm. Coogler ka sjellë një vepër plot personalitet, nga Fruitvale Station, në Creed e në Black Panther, dhe tani Sinners... ai po krijon një filmografi klasike në CV-në e tij.
A ia vlen ta shikoni në ekranin e madh? Absolutisht, filmi është një përjetim i paharrueshëm për çdo shikues. Një nga ata filma për të cilët do të flasim ende pas një dekade.
Verdikti: (5 nga 5 yje)