Si e ndikon hipnoza trurin? - NACIONALE

Si e ndikon hipnoza trurin?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Hipnozë – është termi me të cilin i referohemi një gjendjeje ekstaze, që karakterizohet me sugjueshmëri, çlodhje dhe nxitje imagjinate në nivele të larta. Sipas një studimi të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Stanford, ekzistojnë tri zona të trurit tonë që ndryshojnë gjatë një gjendjeje hipnoze. Ky studim novator ofron informacion se si hipnoza ndikon në tru, gjë që mund të çojë në menaxhim të ri dhe të përmirësuar të trajtimit të dhimbjes dhe ankthit në të ardhmen.

Megjithëse hipnoza si proces është qindra vjeçare e vjetër, ajo ende vazhdon të mbetet diçka që as më të zgjuarit mes nesh nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht. Referencat më të hershme për hipnozën datojnë në Egjiptin e lashtë dhe në Greqi. Në fakt, fjala "hypnos" do të thotë "gjumë" dhe i referohet perëndisë greke që ishte personifikimi i gjumit.

Në ditët e sotit, hipnoza shpesh merret si një lloj gjendje ëndërrimi, gjatë së cilës ju jeni plotësisht të vetëdijshëm, por keni akorduar shumicën e stimujve rreth vetes dhe jeni të fokusuar me qëllim në një temë të caktuar, që në të shumtën e kohës arrihet përmes fuqisë së sugjestionit.

“Babai modern” i hipnozës konsiderohet mjeku austriak Franz Mesmer, i cili na dha fjalën “mesmerizëm”, që mund të jetë një fjalë tjetër që i referohet një gjendjeje hipnotike. Mesmer kishte një ide të cilën ai e quajti "magnetizëm kafshësh" dhe ideja ishte se ekzistojnë këto lloj burimesh natyrore të energjisë që mund të transferohen ndërmjet organizmave dhe objekteve.

Gjatë rrugës, hipnotizmi ka pasur edhe shumë pionierë të tjerë që e kanë çuar më tej këtë fenomen magjepsës. Një nga më të shquarit është James Braid, një mjek okulist me bazë në Skoci, i cili u intrigua me idenë e hipnozës kur zbuloi se një pacient në dhomën e tij të pritjes kishte rënë në ekstazë pasi kishte parë një llambë. Ai i dha pacientit komanda dhe pacienti ‘iu bind’, duke mbetur në gjendje të ngjashme pothuajse gjatë gjithë kohës.

Magjepsja e Braidit u rrit edhe më, kur përmes shumë testeve, ai arriti në përfundim se bërja e pacientit për të fiksuar diçka, ishte një nga komponentët më të rëndësishëm të hipnozës. Më vonë ai do të botonte një libër mbi atë që ne tani e njohim si zbulimi i hipnozës moderne.

Më vonë, James Esdaile, një kirurg britanez me bazë në Indi, gjatë mesit të viteve 1800, vërtetoi se kjo lloj gjendje hipnotike ekstaze ishte jashtëzakonisht e dobishme në praktikat e lehtësimit të dhimbjes. Ai kreu qindra operacione të mëdha duke përdorur hipnotizmin si anestezionin e tij të vetëm. Kur u kthye në Angli ai bëri përpjekje për t’i bindur institucionet mjekësore për gjetjet e tij, mirëpo ata nuk i kushtuan vëmendje teorisë së tij dhe vazhduan t’i favorizojnë anestetikët e rinj kimikë, të tillë si morfina, e cila ishte relativisht e re në atë kohë. Këtu ndaloi përdorimi i hipnotikëve për qëllime mjekësore dhe pikërisht kjo u bë një nga arsyet pse hipnoza konsiderohet një qasje alternative ndaj mjekësisë në shoqërinë e sotme.

Në fillim të viteve 1900, francezi Emile Coué vendosi të shmangë qasjet konvencionale që ishin pioniere në lidhje me çështjen e hipnotizmit dhe filloi punën e tij mbi përdorimin e sugjestionit automatik.

Ai është më i famshëm për shprehjen: "Dita ditës, në çdo mënyrë, po përmirësohem dhe më mirë." Kjo teknikë ishte një nga rastet e para ku u përdor hipnoza e afirmimit dhe që atëherë ajo ka ardhur duke u rritur përmes programeve të ndryshme të këshillimit dhe teknikave të terapisë.

Në kohët moderne, një nga autoritetet më të njohura për hipnozën klinike mbetet Milton Erikson, një psikoterapist i njohur që pjesën më të madhe të punës së tij e bëri gjatë viteve 1950-1980. Ai ishte i magjepsur me psikologjinë njerëzore dhe shpiku mënyra të panumërta novatore për të përdorur hipnozën në praktikat e tij klinike.

Ndryshimet që pëson truri në tri zona të ndryshme gjatë procesit të hipnozës, mund të jenë rrugë për të lehtësuar trajtime alternative për menaxhimin e ankthit dhe dhimbjes në të ardhmen.

Me kalimin e viteve, hipnoza ka fituar shumë tërheqje dhe respekt si në profesionin e mjekësisë, ashtu edhe në atë të psikoterapisë. Sipas një studimi të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Stanford në vititin 2016, ekzistojnë tri zona të trurit tonë që ndryshojnë gjatë një gjendje hipnoze, dhe kjo në fakt mund të përdoret për të na sjellë dobi.

Shkencëtarët skanuan trurin e 57 njerëzve gjatë një seance të drejtuar hipnoze, e ngjashme me atë që mund të përdoret për të ndihmuar në trajtimin e ankthit, dhimbjes ose traumës.

Së pari, ka një rënie në aktivitetin cingulat anterior dorsal.

Kjo është pjesë e rrjetit të spikatur të trurit që është përgjegjëse për funksionet psikologjike si vendimmarrja, proceset e vlerësimit dhe rregullimi emocional, si dhe funksionet fiziologjike si presioni i gjakut dhe rrahjet e zemrës.

Më pas, ka një rritje në lidhjen ndërmjet korteksit dorsolateral paraballor dhe insulës.

Korteksi dorsolateral paraballor shoqërohet me funksione ekzekutive si kujtesa dhe vetëkontrolli. Insula është një rajon i vogël i korteksit cerebral që luan një rol të rëndësishëm në perceptimin e dhimbjes, angazhimet sociale, emocionet dhe kontrollin autonom.

Nga kryetari i grupit studimor, kjo përshkruhet si një lloj "lidhje tru-trup" që ndihmon trurin të përpunojë dhe kontrollojë atë që po ndodh në trup.

Ekzistojnë lidhje të reduktuara ndërmjet korteksit dorsolateral paraballor dhe korteksit medial paraballor.

Korteksi dorsolateral paraballor është më pak i lidhur me korteksin parafrontal medial dhe korteksin cingulat posterior, të cilat të dyja janë të lidhura fort me aktivitetin nervor dhe çështjet njohëse.

Kjo rënie ka shumë të ngjarë të lidhet me shkëputjen ndërmjet veprimeve të dikujt dhe ndërgjegjësimit të tyre për veprimet që bëjnë.

Si e ndryshon kjo mënyrën se si shihet hipnoza?

Të kuptuarit saktësisht se cilat zona të trurit ndikohen gjatë hipnozës mund të hapë rrugën për kërkime novatore në përdorimin e hipnozës për qëllime mjekësore.

"Tani që ne e dimë se cilat rajone të trurit janë të përfshira," thotë David Spiegel, MD, profesor dhe studiues në projekt, "mund të jemi në gjendje ta përdorim këtë njohuri për të ndryshuar aftësinë e dikujt për t'u hipnotizuar ose efektivitetin e hipnozës për probleme të tilla si kontroll i dhimbjes.”

Edhe pse nevojiten më shumë kërkime, studimi është sigurisht një fillim i suksesshëm në atë që përfundimisht mund të njihet si trajtime hipnotike për gjëra të tilla si ankthi, trauma dhe menaxhimi i dhimbjes.

"Një trajtim që kombinon stimulimin e trurit me hipnozën mund të përmirësojë efektet e njohura analgjezike të hipnozës dhe potencialisht të zëvendësojë qetësuesit e dhimbjeve dhe ilaçet kundër ankthit, të cilët janë të njohur për efektet e shumta anësore", shpjegon Spiegel.

Lajme të ngjashme