Seksi dhe letërsia shqipe – një marrëdhënie e ndërlikuar - NACIONALE

Seksi dhe letërsia shqipe – një marrëdhënie e ndërlikuar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

“Nëse një marsian do të lexonte letërsinë tuaj, do të pyeste si shumoheni, pasi aty nuk ka seks” – John Hogdson

Letërsia shqipe, ashtu siç e njohim (të shkruar në gjuhën shqipe), i ka fillet e veta në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, edhe atë, nga një përkthim i Biblës i bërë në kuadër të reformacionit kishtar, nga Gjon Buzuku.
Një fillim i tillë, që s’është fort i ndryshëm nga fillet e letërsive përreth (duke përjashtuar, natyrisht, atë greke), nuk thotë domosdo diçka për karakterin që do të marrë kjo letërsi. Veçse, në rastin tonë, duket se tha.

Sepse letërsia shqipe, me disa përjashtime, do të vazhdojë të përvijojë nëpër histori si e shtrënguar, dhe duke e marrë moralin e kohës. Moralin e fetarit, patriotit apo njeriut që mund të kishte njëmijë identitete ideologjike, para se të ishte i tillë: pra njeri që në reagimin e vet tekstual do të fliste edhe për nevoja bazike biologjike, e së këndejmi edhe për seksin.

Çlirimi që vjen me poezinë e bejtexhinjve, ku i këndohet edhe “kënaqësive të dynjasë”, nuk zgjat shumë pasi nevoja imediate e shqiptarëve për çlirim nga Perandoria Osmane, e rikthen në skenë moralin e radhës: atë të patriotit, që dashuri e ka kombin, për të cilin shkrihet.

A ishin të shmangshme këto rrethana? Natyrisht që jo. A shkruan shqiptarët për seksin? Natyrisht që po. Por, në regjistrin e letërsisë shqipe, ai është shumë më i paktë, dhe shpesh edhe kur është, është i vendosur në funksion të një raporti joseksual ndërmjet personazheve të përfshira (p.sh. pushtetari Osman që dhunon robinjat e luftës në romanin “Kështjella” të Kadaresë).

Kur jemi te Ismail Kadare:

Shkrimtari më i njohur shqiptar, e njëri nga më të njohurit në Europë, e zhvilloi karrierën e tij në harkun kohor që rrok dy sisteme politike: totalitarizmin e plotë dhe lirinë e pjesshme.
Megjithatë, vetë shkrimtari, e ka konfirmuar në intervistën e tij me Blendi Fevziun kritikën e letrarëve ndërkombëtarë që “Kadareja shkruan pak për dashurinë”. Në veprën e Kadaresë, seksi është herë dhunim (Kështjella), herë prostitucion (Gjenerali i ushtrisë së vdekur), e ndonjëherë nuk ndodh fare, sepse personazhet e shtypin atë dëshirë për arsye kulturore. Por, megjithatë, rrallë (si tek “Aksidenti”), seksi është aty dhe është produkt i ndjenjës erotike për tjetrin.

Seksi gjen lirinë diku tjetër:

Megjithatë, seksi si i tillë, pa dinamika politike (edhe pse jo krejtësisht pa dinamika të pushtetit dhe raportit të forcave mes palëve), gjen më shumë hapësirë në veprat e Fatos Kongolit. “Bolero në vilën e pleqve”, “Lëkura e qenit”, e deri diku, edhe “Te porta e Shën Pjetrit”, janë vepra në të cilat seksi “e merr hapësirën” e vet. Mbase, edhe i përshkruar si rrallë ku në letërsinë shqipe. Ai është i çlirët, herë-herë “i shturur” dhe, edhe si volum, ka më shumë përshtrirje.

Seksi sot:

Në letërsinë që prodhohet sot në shqip, seksi ka fituar statusin “e domosdoshmërisë’’. Pjesërisht për hir të kundërvënies ndaj traditës, pjesërisht për hir të ekstravagancës artistike, e ndonjëherë edhe si nevojë pa të cilën nuk funksionon vepra si e tillë. Dhe kur jemi këtu….

Çfarë rëndësie ka seksi në ato vepra ku shfaqet?

Debati është i gjallë, e kurrë më aktual. A shkruajnë shkrimtarët për seksin për hir të tij, apo për nevojë të letërsisë?

Te “Kështjella” e Kadaresë, seksi është mjeti që e konfirmon poshtërimin, sepse vjen si raport ndërmjet Sulltanit dhe robinjave të luftës. I ngrit tensionet dhe është i nevojshëm politikisht për ta poshtëruar deri në çnjerëzim tjetrin.

Te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, seksi (në formë prostitucioni), vjen si motiv për ta artikuluar refuzimin kulturor shqiptar ndaj këtij fenomeni (kemi parasysh që babai i personazhit që “shkon me prostitutën”, vjen enkas për ta vrarë këtë të fundit), si edhe turpin që e mbart me vete ky i fundit.

Te “Bolero në vilën e pleqve”, “Lëkura e qenit”, e vepra të tjera të Kongolit, seksi është aty si përshkrues i dinamikave të forcës (ndonjëherë edhe dashurisë), por kjo forcë nuk është domosdo politike, poshtëruese apo që ka qëllim përtej aktit.

Sot, seksi dhe skenat e tilla në letërsi, janë çliruar dhe stigma kulturore e lidhur me to është shumë më pak prezente. Kemi parasysh shkrimtarët e sotëm si Ag Apolloni, Donika Dabishevci, Jeton Neziraj, Agron Gashi e kush tjetër jo. Ndoshta, deri diku, edhe autori i këtyre rreshtave.

Dhe prandaj,

Marsiani që, sipas përkthyesit të njohur të letërsisë shqipe John Hogdson, do të zbriste e ta lexonte letërsinë shqipe, nuk do të habitej më sesi shumohemi. Sepse, letërsia shqipe ka seks, paçka se ndonjëherë akti është në shërbim të diçkaje tjetër.

Lajme të ngjashme