Rreshtat e reperëve kosovarë që ju fusin në siklet të paparë - NACIONALE

Rreshtat e reperëve kosovarë që ju fusin në siklet të paparë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kujdes: Në këtë tekst ndodhen edhe fjalë të papërshtatshme për grupmoshat më të vjetra dhe që mund të shqetësojnë lexuesin.

Më në fund e kemi një listë të asaj - së cilës kushtimisht po i themi rreshta bërllok - në hip-hopin tonë.

Na vjen keq që duhet të shprehemi pa filtra dhe në mënyrë direkte, por a s’është kjo që dallon hip-hopin nga zhanret tjera? Dhe sidomos tash që jemi në kohë të paprecedentë luftërash e virusesh.

Pra, Nacionale do të merret në përgjithësi me pop-kulturën dhe në veçanti edhe me ata që po bëjnë nam të madh, kanë marrë pushtet të madh dhe po fitojnë shuma të pabesueshme parash: reperët tanë.

Tentativat e mëposhtme për metafora nga këta reperë mund ta shndërrojnë një album nga kryevepër në të dobët në mënyrë automatike, derisa një album të dobët mund ta shndërrojnë në qesharak.

Reperët tuaj të preferuar sigurisht se do ta gjejnë veten këtu, pasi lista është fokusuar më shumë në artistët e skenës 'mainstream', se sa në ata që po luftojnë për të arritur në pozitë për të ndarë një copë nga tortja e madhe.

Vazhdoni më poshtë në konkludimin brutal të disa prej rreshtave më të këqinj të thënë ndonjëherë nga reperët kosovarë. Nëse ju keni një listë tuajën, mos ngurroni të na shkruani në info@nacionale.com

Vëmendje: Materiali i mëposhtëm është krijuar duke marrë për bazë vetëm tentativat e reperëve për të thënë diçka të mençur dhe metaforike, por nuk përfshin rreshta kot si për shembull Agon Amiga kur thotë ''Agon Amiga, A A Amiga, Amiga,'' pasi ky është nënshtrim në kuptimin e plotë të fjalës ndaj ‘bërllokut’, ndërsa qëllimi ynë është të përmbledhim ata që vërtet janë munduar, por thjesht nuk ia kanë dalë.

Ledri Vula: “Si me rrokë hallën shkelm u bo hallakama”

Hmm… në rregull z. Vula, e kuptojmë përpjekjen dhe sigurisht ka tingëlluar shumë 'fun' dhe mençur në praninë e shoqërisë në studio, por oh Zot i madh, është thjesht kot për një vesh që ka vendosur standarde të larta të rreshtave njëmend inteligjentë, duke e parë si frymëzim këtë lloj zhanri ndër vite. Nuk do mend se dikë mund ta impresionojë kjo, si dhe shumë të tjera më poshtë, por ne jemi shndërruar në jotolerantë ndaj diçkaje 'corny' si kjo. Tepër, tepër e parashikueshme dhe aspak domethënëse në të njëjtën kohë. Sidoqoftë, me pak punë dhe fokus në drejtimin e duhur, besojmë fuqishëm se do të arrihet ajo të cilin zotëriu: t’i mëshohet vulë nga z. Vula, të paktën ndonjë rreshti, sepse tashmë e ka bërë goxha një kohë në këtë industri.

Në standard kjo fjali bën: “Si ta rrokësh hallën shqelm, bëhet hallakama!”

Gjiko: “Farmerkat ‘diesel’ amo kerret krejt ‘benzina’”

...më merr shpirtin menjëherë ose më lër të jetoj përgjithmonë. Kjo duhet të jetë një prej tentativave më të dështuara ndonjëherë për të folur figurshëm. Gjërat e tilla nuk e kanë vendin në këtë kulturë. Do ta vlerësonim më shumë nëse do ta vazhdonte me gjërat si ''ja, ja, ja, ja, bejbi po vina me jaht, na po pina zaza, pina zaza deri t'na bjen t'paktë'', se sa rreshta të tillë. Nuk e kemi problem nëse jeni bërllok (kushtimisht thënë) dhe e mbani vijën tuaj në atë kategori, por e kemi problem kur në fakt mundoheni dhe e bëni prapë (kushtimisht thënë) bërllok, pasi artistët nuk janë e as nuk duhet të jenë nën presionin e kohës për të krijuar diçka solide. Dhe, kur ke tërë kohën e botës për të bërë diçka të mirë-menduar dhe më e mira me të cilin mund të vini është ''farmerkat diesel, amo kerret krejt benzina,'' atëherë situata është shqetësuese.

E ku të mos rriten pastaj çmimet e derivateve, kur z. Gjiko luan kaq dobët me emrat e tyre?

Në standard: “Xhinset të markës ‘Diesel’, mirëpo veturat të gjithë [i kemi] me benzinë”

Mozzik: “Sytë e kuq si m’i ly me ajvar”

Thjesht budallallëk. Vështirë të gjejmë ndonjë përshkrim tjetër. Së pari, askush nuk i lyen sytë me ajvar, e drejtë ta themi, për ta kuptuar si duken dhe, edhe nëse do ta provonte, vështirë se do të dukeshin ashtu siç pretendon zotëri Mozziku. Ajvari është i trashë dhe sigurisht do të mbeteshin ca copëza mbi retinë dhe vetulla së bashku me fara në proces, por figurativisht tejet larg mesazhit që provohet të përcillet.

Në standard: “Sytë e kuq si t’i [kishim] lyer me ajvar”

Buta: “Dy xhointa (joints) si shpinë deve plus e bojna borë, lema derën çelë, te ti vi si televizor”

E kuptoni, lojën impresive të fjalëve... 'te ti vij', por edhe 'TiVi' në kuptimin e televizionit.

Sidoqoftë, është absolutisht e kotë. Përkundër mjeshtërisë interesante për lojë fjalësh, cila është poenta? Kur thua ''te ti vij si televizor,'' nuk ka ndonjë sens logjik, veç asaj që e ka njëlloj kreativiteti për t'u respektuar, por jo aq sa për të qëndruar jashtë kësaj liste. Dhe përveç kësaj, a e ka fjalën z. Butë për televizorin si pajisje apo televizionin?

Në standard: “Dy kyçje [marihuane] si shpina e deves, plus e bëjmë borë; lëre derën hapur, te ti vij si televizor.”

Oh, në rregull për pjesën e parë të togfjalëshit ''dy xhointa si shpinë deve,'' që në fakt kanë njëfarë kuptimi interesant metaforik.

Bim Bimma:S'po m'vynë kompensimi kur gjysa e t'rive përdor heroinin”

Këtu ka mungesë të madhe të informacionit faktik. Me pak fjalë, ajo që thuhet është absolutisht e pavërtetë. Gjysma e të rinjve nuk mund të thuhet se përdorin qoftë edhe marihuanën, që futet në koshin e drogave të lehta, mos të flasim për heroinën, e që artisti në fjalë e quan 'heroinin', sigurisht më së shumti për të rimuar me rreshtin paraprak.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me qendrën 'Labyrinth', që merret me trajtimin e personave të varur nga drogat, dhe ka mësuar se numri aktual i përdoruesve të heroinës në Kosovë është rreth 1000, për të gjitha moshat. Andaj, nuk është i vërtetë ky aludim nga Bim Bimma. Dhe nëse Kosova ka vetëm 700 mijë të rinj – lëre që ka më shumë – i bie që përqindja është më pak se 0.2.

Nga ana tjetër, pjesa artistike është llom e padhëmbë, përveç kur je i pitë, hajt se bën.

Në standard: “S’po më vyen kompensimi, kur gjysma e të rinjve e përdor heroinën”

Melinda:Fllowin e kom gacë, hajde kapma, ftyrat po sarihën sikur fanta”

Së pari, nëse është gacë pse duhet ta kapim? Gaca sipas fjalorit të gjuhës shqipe është “thëngjill i ndezur, copë prushi.” Në anën tjetër, fytyra e 'saritë' [shq. verdhë] të tentohet të futet në metaforë me pijen 'fanta' është thjesht e lodhtë (lame) si përpjekje, më e pakta që mund të themi.

Në standard: “Rrjedhën [e rimave] e kam gacë, hajde kapma; fytyrat po zverdhen sikur Fanta.”

Majk: “N'beef me neve si me pas emrin virgjinitet, hupë”

Ç'të themi? Thjesht një tjetër klishe në kulturën e hip-hopit është paraqitja e 'djaloshit të fortë', gjë që ushqen kulturën seksiste në hip-hopin tonë (temë tjetër kjo). Sidomos ndërlidhja e humbjes së virgjërisë me humbjen në “beef”, është thjesht e shëmtuar. Diçka që meriton përkujtimin e krejt atyre grave që e kanë vuajtur apo e vuajnë paragjykimin për shkak të humbjes së virgjërisë.

A duhet të luftojmë për barazi edhe në hip-hopin tonë? Nacionalja do të bëjë përpjekje për një gjë të tillë. Por këtu, dmth në këta rreshta, ka edhe mungesë serioze kreativiteti.

Në standard: “Në ‘luftë fjalësh’ me ne [del si ta kishte pasur emrin virgjëritet] – ti humbet.”

Gjiko:Gjiko din me shku HAM si me pasë emrin Hamdi”

Për të satën herë e gjen veten z. Gjiko në këtë listë? Është dikush duke numëruar? Sigurisht, ne duam të jemi sa më gjithëpërfshirës, por kur ke punë me tentativa të tilla, komplikohet situata, apo jo?

Së pari, Hamdiu në fjalë nuk e dimë nëse di të shkojë HAM (sipas fjalorit urban, HAM përshkruan 'dikë që shijon vëmendjen e të tjerëve dhe bën gjëra të çmendura për ta fituar atë'), siç thotë Gjiko. Në fakt, ky pretendim se të gjithë Hamdinjtë dinë të shkojnë HAM është paksa si shumë i guximshëm. Sa më shumë që e lexon dhe e mendon, aq më pak ka sens. Nuk kemi dëgjuar e as nuk duhet të ekzistojë një tezë e tillë se të gjithë Hamdinjtë dinë të shkojnë HAM.

Ghetto Geasy:U kon Dr. Majk, tash o Majk e ngon doktori”

Një tjetër shprehje e llojit “t'ia fusim kot diçka, sa rrimë”. Të thuhet kjo nga dikush që konsiderohet si 'ujk i vjetër' në industrinë e hip-hopit kosovar, e bën edhe më skandaloze. Nëse vendosim të zhvishemi krejtësisht nga filtrat, kjo është thjesht hajgare. Vetëm analizojeni çka thotë një njeri me më shumë se 20 vjet eksperiencë në skenë. As që do të futemi në procese analitike për të gjetur ndonjë shkëndijë sensi në këtë rresht.

Në standard kjo bën: “Na ishte një herë e një kohë Dr. Majk, tash është Majk dhe e dëgjon doktori”

Buta:Plumat mitrolez, t'mdhajë sa ni kastravec, t'rrokin n'kry, t'dhem, sun e nalë me paracet”

E keni parasysh më lart kur thamë se Buta jo rrallëherë ka potencial që t'ia fusë kot, pikërisht për këtë e kishim fjalën. Jemi mirë të familjarizuar me subzhanrin 'trap' dhe tematikave/teksteve të tepruara dhe ‘jo-ortodokse’ nganjëherë, por ky fakt nuk e bën më pak legjitim këtë rresht të Butës që të futet në këtë përmbledhje.

Domethënë, njeriu thotë se kur plumbi i armës mitraloz, i madh 'sa një kastravec' godet në kokë atë të cilit i referohet z. Butë, viktimës do t'i 'dhemb' dhe se nuk do të mund ta ndalë dhimbjen me 'paracetamol'. E panevojshme ta cekim se gjëja e fundit për të cilën duhet të brengoseni kur një plumb mitralozi ju godet në kokë, është nëse do të të dhembë, dhe nëse këtë dhimbje do të mund ta ndalni me një pilulë e cila ka për qëllim, sipas përkufizimit zyrtar, ''bllokimin e sinjaleve kimike në tru, të cilat na tregojnë se kemi dhimbje.''

Vdes, z. Butë, vdes nëse të godet në kokë një plumb mitralozi, ose shpëtoni mrekullisht por mbetni në gjendje kome. S’ka shpjegim logjik.

Në standard kjo bën: “Plumbat mitralozë, të mëdhenj sa një kastravec; të godasin në kokë, të dhembin, s’mund ta ndalësh as me paracetamol”.

Lajme të ngjashme